Ekipet shqiptare në këto kualifikuese të kompeticioneve europiane nuk arritën të ishin aspak të suksesshme. Të gjitha skuadrat e Superligës nuk shkuan më shumë se raundi i dytë i Conference League. Duke filluar nga Tirana që fillimisht u eleminua nga Champions League e më pas nga Conference League.

Apo edhe Partizani e Vllaznia që nuk arritën të kalonin asnjë tur. I vetmi ekip që kaloi një tur ishte Laçi që eleminoi Iskran, por edhe kurbinasit nuk shkuan më larg se turi i dytë. Një paraqitje katastrofale që ul shumë kuotat e kampionatit tonë. Por një gjë e tillë nuk ndodh në vendet e futbollit fqinj. Kosova po përfaqësohet në mënyrë më të denjë të mundshme.

Kampionët e Ballkanit fituan mbrëmë me rezultatin 3-2 kundër Klaksvik. Duke hedhur kështu një hap shumë të madh drejt Play Off të Conference League. Që do ishte një super sukses për skuadrën e drejtuar nga Ilir Daja. Edhe Maqedonia e Veriut me skuadrat shqiptare po përfaqësohet shumë mirë në turin e tretë.

Shkëndija e Tetovës, një skuadër eksperte në kompeticionet europiane tashmë, mori një barazim në Suedi përballë AIK në shifrat 1-1. Duke lënë të hapur çdo gjë për kualifikimin pas një jave.

Edhe Shkupi që u mund në ndeshjen e parë të turit të 3-të të Europa League kundër Shamrock në shifrat 3-1, ka ende kualifikimin në dorë. Duke parë që takimi i kthimit do luhet në Shkup, nën një atmosferë të zjarrtë tifozerie.

Dhe kampionat e ekipet shqiptare nuk kanë pse ti marrin shembujt larg nëpër Europë. Por të hedhin sytë nga rajoni dhe të shikojnë se si korren sukseset me projekte afatgjata dhe me ide të qarta të zhvillimit dhe promovimit të futbollit.

Endri ÇINARI