Kur dukej se gjërat po shkonin mirë në kampin shkodran në pragndeshjen me Ilirinë, krejt papritur është shfaqur një problem i cili mund të rezultojë edhe i rëndësishëm.

Një nga lojtarët më të rëndësishëm të Vllaznisë, pikërisht sulmuesi brazilian Silvio Rodrigues Pereira Junior, është në dyshim për t’u aktivizuar nesër ndaj Ilirisë.

Në dy ditët e fundit shënuesi më i mirë i kuqebluve ka ndjerë një shqetësim muskular në pjesën e prapme të kofshës dhe për këtë arsye, ka zhvilluar një stërvitje të diferencuar.

Junior do të jetë pjesë e 18-shes për takimin e nesërm megjithatë ende nuk është e sigurtë nëse do të luajë apo jo. Në rast se nuk do rikuperohet në kohë, trajneri Lika ka menduar edhe zgjidhjen për zëvendësimin e tij.

Në fushë nga minuta e parë do të jetë nigeriani Eziamaka. Gjithsesi deri nesër pritet të ketë një përgjigje pozitive nga stafi mjekësor për aktivizimin e brazilianit.
www.shkodrasport.com