Basketbolli shkodran ka një histori përgjithësisht të suksesshme e cila është e ndarë në disa periudha. Ajo e viteve ’60 ka qenë e para e një serie trofesh, të vazhduara më pas me disa kupa të fituar në vitet ’70-’80 ndërkohë që sukseset më të mëdha kanë ardhur në vitet ’90.

Pa lënë mënjanë pastaj edhe periudhën e viteve të fundit kur u fituan tre tituj kampionë dhe një Kupë e Shqipërisë. Ndër emrat që kanë lënë gjurmë në këtë histori dhe që padyshim meriton vëmendje dhe respekt është edhe Dhimitër Samarxhiu (Taçi).

Një basketbollist që ndoshta ka patur karrierën më të gjatë sportive, plot 19 vite, nga të cilat 16 me të rriturit.

Dhimitër Samarxhiu (Taçi) ka lindur në Shkodër më 7 nëntor 1949, pasioni I tij për sportin e ka shoqëruar që në moshë të vogël. Karriera e tij sportive ka filluar me ekipin e të rinjve të Vllaznisë në vitet 1964-1967.

Në vitin 1967 deri 1969 ka kaluar me ekipin e të rriturve të Vllaznisë, ku me ekipin e Vllazninë ka fituar dy herë Kupën e Republikës në vitet 1967 dhe 1968 duke triumfuar bashkë me kolegët e tij Renato Radoja, Lorenc Mosi, Hydajet Kotrri, Petrit Osmani e me trajner Esat Haxhin, duke triumfuar në këndin “Spartak” njërin vit dhe tjetrin në Tiranë.

Po ashtu në vitin 1967 është edhe kampion i Shqipërisë me Vllazninë bashkë edhe me sportistët e tjerë si Nikolin Kovaçi, Luan Shatku, Agim Lahi, Zyhdi Çoba e Roland Koka.

Në vitin 1969 ka kaluar tek ekipi i Partizanit ku me këtë ekip është aktivizuar për një vit, ku gjatë aktivizimit tek ekipi i Partizanit ka luajtur në kupën e kampioneve me Dinamon e Bukureshtit.

Në vitin 1970 deri 1972 është aktivizuar me ekipin e Skënderbeut ku gjatë kësaj periudhe ka kryer edhe shërbimin ushtarak. Pas përfundimit të tij dhe aktivizimit te ekipi i Skenderbeut, është rikthyer në qytetin e Shkodrës për të mbyllur karierën e tij sportive me ekipin e Vllaznisë nga viti 1972 deri në vitin 1983 ku i dha fund periudhës prej 19 vitesh karrierë sportive.

Gjatë këtyre viteve ka fituar edhe njëherë tjetër trofeun e Kupës së Republikës pikërisht në vitin 1981, kupa e tretë për të. Gjatë aktivizimit me Vllazninë ka luajtur edhe në Kupën e Kupave ku ka luajtur kundër Gallatasarajt të Turqise në Stamboll.

Karriera sportive e sukseshme është është nderuar edhe me tituj, ku për kontributin e dhënë në karrierën sportive të tij, i është dhënë nga sportklub Vllaznia titulli i lartë “Nderi i Sportit Shkodran”, për kontribut të shkëlqyer në sportin e basketbollit.

Gjithashtu i është dhënë nga Federata Shqiptare e Basketbollit titulli “Mirënjohje”, për kontributin e dhënë gjatë karrierës së tij sportive në zhvillimin e basketbollit në nivel lokal dhe kombëtar. Karriera sportive prej 19 vitesh është mbyllur me sukses në vitin 1983 në qytetin vendlindjes së tij në Shkodër, ku mbylli karrieren e tij me ngjyrat e ekipit të Vllaznisë. Dhimitër Samarxhiu (Taçi) mbetet një emër i nderuar i historisë së basketbollit shkodran dhe atij shqiptar.
Gjergj KOLA