Nëse ka futbollist joshkodranë që ka luajtur më me zemër për Vllazninë ndoshta edhe se vetë lojtarët e këtij qyteti, ato janë Ilir Nallbani dhe Dritan Smajli. Të dy kanë qëndruar për pesë sezone me rradhë tek ekipi kuqeblu duke dhënë më të mirën e tyre.

Njëri nga këto lojtarë, pikërisht ish-mbrojtësi i djathtë Smajli sot ka ditëlindjen, mbush 34 vjeç. Gazeta “Shkodra Sport” i uron edhe 100 vite të tjera të lujtura këtij futbollisti që dha shumë për Vllazninë. U bashkua me të në verën e vitit 2008 dhe u largua prej saj në vitin 2013.

Ndoshta mund të kishte qëndruar edhe më shumë por gjërat në klub ndryshuan dhe ai bëri zgjedhje të tjera. Gjatë këtyre 5 viteve që ka luajtur me fanellën kuqeblu, të gjithë e mbajnë mend për lojën e tij plot grintë, daljet në krahun e djathtë, krosimet por edhe golat e shënuar për Vllazninë.

Ka luajtur në 128 ndeshje të kampionatit me fanellën kuqeblu dhe ndjehet krenar për këtë gjë. Vërtetë Vllaznia i ka dhënë shumë emër këtij lojtari në karrierën e tij por duhet thënë se edhe Smajli i ka dhënë shumë asaj.

Prej dy vitesh ka lënë sportin dhe ka nisur rrugëtimin si trajner moshash, por ndoshta me grintën që ka dhe formën fizike të admirueshme, ai duhej të ishte sërish në fushë si futbollist, por me siguri që këto veçori tashmë do ua trasmetojë edhe futbollistëve që stërvit tashmë.
© shkodrasport.com