Vllaznia është rikthyer në vendin e parë në klasifikim, pas fitores 1-0 të arritur në stadiumin e Kamzës, në përballjen me Kastriotin, në këtë rast si skuadër pritëse. Në një lidhje direkte me “Rubrika Sportive” në RTSH, përfaqësuesi i skuadrës kuqeblu, Blendi Dibra ka folur për suksesin më të fundit, por dhe për çështje të tjera, siç është ajo e privatizimit apo liçensimit.
“Pikënisja e krizës tonë filloi pikërisht me Kastriotin, 0-0 në Shkodër. Kastrioti meriton fjalët më të mira, është një skuadër që ka shumë grint. Mund të them se ishte një lojë e bukur, për fat të mirë na buzëqeshi ne”.
“Në ndeshjen e sotme, u pa qartë se skuadra u paraqit më ndryshe nga herët e kaluara, më e vendosur, më e disiplinuar. Mendoj se kjo ishte si rrjedhojë e masave të marra gjatë ditëve të fundit”
“Gjobat? Jemi në fazat e para të menaxhimit të klubit dhe duam të japim disa shkëndija për mirëmenaxhimin. Është biseduar personalisht me të gjithë, qoftë për gjobat apo dhe gjëra të tjera. Mendoj se kjo është normale. Në rastin konkret, nuk bëhet fjalë për një gjobë, por për një paralajmërim”.
“Afrimet e janarit? Nuk mendoj se kemi bërë ndonjë merkato të keqe, pavarësisht se specialistët e dinë më mirë”.
“Privatizimi? Kjo pjesë ka ndaluar, sepse ka një ankesë dhe do të bëhet shqyrtimi I saj. Pas 25 marsit, Bashkia do të japë një datë të re për hapjen e ofertave. Brenda muajit prill mendoj se duhet të ketë një zgjidhje”.
“Liçensimi? Ka një optimizëm për të zgjidhur situatën, po punojmë 24 orë për të arritur objektivin për të hyrë në Europë. Besoj se do të gjendet një zgjidhje brenda afatit”.