Edhe java e pestë ka shkuar shkëlqyer për ekipet e Shkodrës në futbollin e femrave. Si Ada e Velipojës ashtu edhe “Juban Danja” kanë arritur fitore në takimet e radhës ndaj kundërshtarëve respektiv. Ada e Velipojës ka fituar sërish me një rezultat të thellë në përballjen e zhvilluar në fushën sportive “Reshit Rusi” në Shkodër. Kësaj here ekipi i drejtuar nga trajneri Fatmir Axhani ka mundur 9-2 skuadrën e Shkëndijës së Durrësit. Takimi është dominuar tërësisht nga Ada e Velipojës e cila për asnjë moment nuk e ka diskutuar fitoren. Skuadra bregdetare ka shënuar 4 gola në pjesën e parë kundrejt vetëm një goli të Shkëndisë, çka tregon nivelin më të lartë të Adës. Edhe në pjesën e dytë Ada luan me të njëjtin ritëm duke mos neglizhuar për asnjë moment. Velipojakët administrojnë sfidën dhe në pjesën e dytë arrijnë të shënojnë edhe 5 gola të tjerë ekipit durrsak, kundrejt një goli të Shkëndisë në fund të lojës. Për Adën, në këtë përballje 2 gola ka shënuar malazezja Llatiçanin, 2 gola malazezja tjetër Rankoviç, 2 gola ka realizuar edhe Tula dhe nga një gol kanë shënuar Shpuza, Gruda dhe Paco ndërsa 2 golat e Shkëndisë janë realizuar nga Lekaj e Gjini. Kështu Ada merr një fitore 9-2 dhe vazhdon të jetë në vendin e parë me 13 pikë pas 5 ndeshjeve të zhvilluara. Po kaq, 13 pikë ka edhe ekipi i “Juba Danja” që fitoi ndeshjen e javës së 5-të. Jubani këtë herë përballë ka patur skuadrën kryeqytetase të Kinostudios teksa ka fituar pastër 3-0 në duelin e luajtur në kompleksin sportiv “Zmijani” në Shkodër. Për Jubanin, trajneri i ri Kreshnik Krepi në debutimin si trajner me një ekip futbolli femrash arrin të marrë një fitore të sukssshme që do të kërkojë ta pasojë me të tjera suksese. Një fitore që bën që edhe Jubani të jetë në krye të renditjes. Ka qenë një sfidë që më shumë është dominuar nga vajzat e Jubanit. Vendaset kanë luajtur më mirë dhe kanë arritur të shënojnë edhe 3 golat që i japin 3 pikë mjaft të rëndësishme. Jubani ka administruar lojën duke mos i dhënë mundësi skuadrës së Kinostudios të reagojë. Për ekipin e Jubanit ka rënë sërish në sy forma e mirë e kosovares Advije Veliu që tashmë është kthyer në një protagoniste në këtë ekip me golat e saj. Kosovarja po tregohet e suksesshme nga ndeshja në ndeshje teksa këtë here ka realizuar një dopietë që bashkë me golin e Vishkullit i kanë siguruar fitoren 3-0 skuadrës së “Juban Danja” duke e lënë këtë ekip në vendin e parë bashkë me Adën. Kështu edhe Jubani vijon të jetë në një formë të mirë teksa ashtu si Ada akoma nuk e njeh humbjen në këtë sezon. Rivaleti mes tyre vijon të jetë i madh dhe ka gjasa që titulli kampion më shumë të zgjidhet në dy ndeshjet direkte që do të kenë këto ekipe. Skuadra tjetër e Shkodrës “The Door” do ta luaj takimin e saj sot teksa përballë në ora 14:00 në fushën sportive “Reshit Rusi” do të luaj ndaj kryeqytetasve të Kamzës teksa objektiv ka fitoren.