Kombëtarja gjermane do të vazhdojë të mbajë pseudonimin “Die Mannschaft” ndonëse pritet që ky emërtim të rishqyrtohet pas zhgënjimit në Kupën e Botës në Rusi, sipas një raporti.

“Pas Kupës së Botës pamë me sy kritik shumë gjëra përfshirë edhe pseudonimin ‘Die Mannschaft’. Përfundimet e një hetimi të pavarur na kanë inkurajuar që t’i qëndrojmë”, deklaroi për gazetën “Bild” menaxheri i ekipit Oliver Bierhoff.

E përkthyer në shqip fjala do të thotë ”ekipi”. ”Slogani është popullor tek të rinjtë dhe gratë por nuk pëlqehet nga meshkujt e moshuar”, sipas këtij studimi.

Ky koncept filloi në vitin 2015, duke ndjekur gjurmët e pseudonimeve më të vjetra ndërkombëtare si “Azzurri” (”Të Kaltërit”) për italianët apo “Selecao” (”Seleksioni”) për Brazilin.

Presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit, Reinhard Grindel tha pas eliminimit që në fazën e grupeve në Kupën e Botës, “Die Mannschaft” mund të hiqej pas një serie reformash.