Vllaznia ka siguruar ngjitjen në Kategorinë Superiore, pas rënies një vit me parë. Mirëpo, jo vetëm largimi nga elita ishte një habi me kuqeblutë, por edhe bomberi që i udhëheq. Nëse ndër vite Vllaznia është konsideruar “djepi i futbollit shqiptar”, e cila ka furnizuar ekipet e tjera me bomberë dhe futbollistë që dinin të shënonin, këtë vit ka ndodhur e kundërta.

Vetë skuadra shkodrane ka huazuar një lojtar goli. Silvio Xhunior ka udhëhequr Vllazninë, por bëhet fjalë për një lojtar nga Brazili. 24-vjeçari ka shënuar 12 gola në Kategorinë e Parë, duke qenë kryegolashënuesi për të dyja grupet dhe duke qenë shpëtimtari i kuqebluve për vijën e parë të sulmit deri më tani.

RREZIKU – Një futbollist i tillë është vlerë e shtuar për ekipin. Kjo, për vetë faktin sepse me ngjitjen në Superiore, jo vetëm që ofron garanci për sulmin, por edhe ofron mundësinë që një zbulim i tillë të sjellë të ardhura të konsiderueshme në rast shitjeje.

Por deri më tani, klubi nuk ka nënshkruar kontratë me të dhe rrezikon që ta humbë në fund me parametra zero. Partizani ka tentuar gjatë merkatos së janarit të siguronte shërbimet e tij, por nuk u finalizua asnjë transferim apo akord zyrtar./PANORAMASPORT/