Javën e kaluar me fitoren ndaj Partizanit dhe humbjen e Kamzës ndaj Goga Basket, Vllaznia në basketboll për meshkuj arriti diçka shumë të rëndësishëm: Largimin nga vendi i fundit në renditje, vend ky që e çonte direkt atë në kategorinë e parë. Por kjo nuk do të thotë se ekipi shkodran e ka siguruar plotësisht qëndrimin në Superligë.

Duke qenë në vendin e pestë të renditjes, sipas rregullores së Federatës Shqiptare të Basketbollit, kuqebluve u duhet të luajnë në play- out me skuadrën e vendit të dytë në kategorinë e parë që është Invaders. Ndeshja e parë në mes këtyre dy ekipeve do të luhet ditën e dielë në orën 12.00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.

Takimi i dytë do të luhet pas tre ditësh në Tiranë dhe nëse është e nevojshme, takimi i tretë do të luhet më datë 28 prill po në Shkodër. Megjithatë nuk pritet që çështja e sigurimit të mbijetesës të shkojë në ndeshjen e tretë. Basketbollistët kuqeblu janë të vendosur për të mbyllur gjithçka shpejt.

Diferenca me Invaders është e madhe në të gjitha drejtimet dhe kjo do të reflektohet edhe në fushën e lojës. Gjatë këtij sezoni, këto dy skuadra kanë zhvilluar edhe disa ndeshje miqësore dhe Vllaznia ka dominuar shumë lehtë ndaj këtij kundërshtari.

Ky është një tregues i garancisë që ekipi shkodran do të sigurojë mbijetesën dhe do të jetë zyrtarisht pjesë e Superligës edhe sezonin e ardhshëm. Një lajm i mirë ky për dashamirësit e shumtë të këtij sporti të cilët presin një Vllazni krejt ndryshe sezonin e ardhshëm.
© shkodrasport.com