Vllaznia mori një shuplakë të rëndë në javën e kaluar, kur u mposht pastër nga Egnatia, që e dominoi gjatë gjithë ndeshjes dhe nuk u la asnjë shans shkodranëve. Më shumë se disfata, ky fakt ka rënduar më shumë në aspektin psikologjik të skuadrës.

Dy ndeshjet pozitive me Kukësin dhe Tiranën, ku u morën dy fitore rradhazi, po rezultojnë thjesht një imazh për Vllazninë, pasi në dy javë të tjera, shkodranët kanë zhgënjyer në çdo aspekt. Disfata në transfertë me Egnatian, e ka ngritur nivelin e alarmit te skuadra e drejtuar nga trajneri Mirel Josa. Po ashtu, ajo që e bën më shqetësuese situatën është fakti se, skuadra ka krijuar shumë pak raste shënimi në katër ndeshjet e para.

Këtë javë, përballë do të jetë Kastrioti, një skuadër e cila vjen pas një barazimi me Tiranën dhe një fitoreje me Kukësin. Të dielën, duke nisur nga ora 17:45, në stadiumin “Loro Boriçi”, shkodranët do të provojnë me çdo kusht të kthehen te triumfi dhe te loja bindëse. Ndeshja e rradhës me Kastriotin, që e luajnë të dielën në shtëpi, merr një rëndësi të veçantë për Vllazninë.

Trepikëshi kërkohet për të përmirësuar fillimisht parametrat negativë të javës së fundit, por edhe për të mos u bërë subjekt i diskutimeve për keq në rast të një disfate tjetër, që do të ishte e papranueshme për shkodranët.

Po ashtu, që të vijë kthesa e rezultateve, duhet padyshim shpërthimi i sulmit ndaj Kastriotit. Kështu, të gjithë shpresat mbeten te ky repart, që përbëhet nga Mala, Kaina dhe Hoxhaj, që ka qenë edhe vjet, si edhe dy të ardhurit në merkaton e verës, të cilët në përgjithësi duhet akoma punë që të mbërrijnë në formën e tyre më të mirë.
Maringlen ZHIVANI