U bënë shumë ditë që ka përfunduar kampionati dhe Dinamo mbetet e gjitha pezull. Edhe pse priten ndryshime të mëdha, ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë me stafin teknik e as me grupin e lojtarëve. Koha po kalon, por situata ka mbetur thuajse e njëjtë. Me këtë heshtje të zgjatur, klubi rrezikon t’i komplikojë planet për sezonin e ri dhe sidomos kur dihet që “malli i mirë gjendet në mëngjes”…
“ZBORI” – Skuadra kryeqytetase ka zhvilluar dje paradite seancën e parë stërvitore për këtë javë, e dyta e “zborit” pas përfundimit të kampionatit. Blutë mund të jenë e vetmja skuadër në Shqipëri që vazhdon të stërvitet. Kuptohet, është një situatë stresuese në këto temperatura të larta. Lojtarët vazhdojnë të ndjekin udhëzimet e klubit. Ata e kanë të ndaluar të flasin publikisht, por nuk është e vështirë të kuptohet se rruga e zgjedhur nga klubi blu i ka mërzitur.
Ndihmëstrajneri Erion Xhafa, i cili po drejton stërvitjen këtë periudhë, kishte në dispozicion 13-14 lojtarë. Bëhet fjalë për shumicën e lojtarëve titullarë, të cilët duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët për drejtuesit për ndërprerjen e kontratave të firmosura një vit më parë.
Akordi, me sa duket, është ende larg, ndaj dhe mbetet të shihet se sa do të zgjasë kjo situatë. Gazeta ka mësuar se disa lojtarë thjesht po presin të përmbushen afatet kohore, që më pas të ndjekin rrugët ligjore për t’i dhënë fund aventurës së tyre te Dinamoja.
LARGIMET – I vetmi që është dorëzuar deri më tani në këtë “luftë nervash” mes palëve, është sulmuesi Çinedu. Ai ka vendosur të mos presë dhe i ka dhënë “lamtumirën” Dinamos.
Largime të tjera, edhe pse ende të pazyrtarizuara, janë ato të Harizajt, Haxhiut dhe Mihanës, të cilin ishin të huazuar nga Apolonia. Kjo javë duhet të sjellë zhvillime konkrete në kampin blu, në mënyrë që t’i hapet rruga ndërtimit të skuadrës së re. Ata që mund të qëndrojnë nga Dinamoja e sezonit të fundit do të jenë të paktë.