Komisioni i Disiplinës ka zbardhur vendimet për javën e fundit të vitit të shkuar në Abissnet Superiore dhe në Kategorinë e Parë. Organi i drejtësisë sportive ka dënuar Partizanin dhe Tiranën për dëmet e shkaktuara në derbi nga tifozëritë përkatëse.

Si të kuqtë, ashtu edhe bardheblutë duhet të paguajnë për të gjithë stolat e thyer në derbin e luajtur në muajin dhjetor. Në njoftimin e bërë në kanalin zyrtar nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit, thuhej:

“1. FK Partizani, për sjellje të gabuar të spektatorëve, hedhjen e sendeve në terrenin sportiv, dëmtimin e mjediseve sportive dhe pajisjeve sportive, në bazë të neneve 65/1, 65/3/a, 65/3/c dhe 65/3/f të KDS, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.

FK Partizani, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Air Albania” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.

2. KF Tirana, për sjellje të gabuar të spektatorëve, hedhjen e sendeve në terrenin sportiv, dëmtimin e mjediseve sportive dhe pajisjeve sportive, në bazë të neneve 65/2, 65/3/a, 65/3/c dhe 65/3/f të KDS, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.

KF Tirana, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Air Albania” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.

3. Zyrtari i Besëlidhja, Gjok Noka, në bazë të nenit 12 të KDS, paralajmërohet se në rast të përsëritjes së sjelljes josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës Sportive dhe Rregulloret e FSHF.

4. Lojtari i Maliqi, Abbey Agbodzie, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/1/d të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

5. Lojtari i FC Kinostudio U-17, Egin Bajraktari, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 48/1/a të KDS, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

6. Rrëzimin e kërkesës së Manchester Junited 5×5, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës Sportive”.