Është padyshim kryendeshja e Premier League në këtë javë të dhjetë. Në Old Trafford duke nisur nga ora 16:30 luhet derbi i Manchesterit, ai mes United dhe City. “Djajtë e Kuq” edhe pse pa shumë shkëlqim kanë fituar dy ndeshjet e fundit në kampionat. Fitoret bëhen tre radhazi nëse llogarisim edhe Champions League me të besuarit e trajnerit Erik ten Hag që kanë nisur sërish të “marrin frymë lirisht”.
Nga ana tjetër, City njeh edhe hapa fals këtë sezon teksa u rikthyen te rruga e fitoreve pasi mposhtën Brighton në javën e fundit, para kësaj të besuarit e trajnerit Pep Guardiola kishin koleksionuar dy humbje radhazi. Ndalesat nuk lejohen më për “The Citizens” pasi Arsenal dhe Tottenham fituan ndeshjet e tyre dhe janë gati për t’u “arratisur”. Gjithsesi, një derbi nuk ka favorit dhe është një ndeshje që i ka të treja rezultatet.
Në sezonin e fundit, Manchester United arriti ta mposhtë Cityn në Old Trafford pasi goli i Grealish u përmbys nga Bruno Fernandes dhe Marcus Rashford. Në pesë ndeshjet e fundit që janë luajtur në Old Trafford bilanci është në baraspeshë teksa secila prej skuadrave ka nga dy fitore dhe një ndeshje tjetër që ka përfunduar në barazim pa gola.
Por, duke nisur nga ora 16:30 e së dielës do të shkruhet një tjetër faqe e historisë ndërsa kujtojmë se këtë supersfidë mund ta ndiqni live në SuperSport 2.