Java nis me stërvitjen e zakonshme të bluve, që për momentin nuk janë as në qiell dhe as në tokë. Asnjë zhvillim konkret nuk rezervoi dita e hënë, por pas interesimit të “Panorama Sport” është mësuar se këto dy ditë do të jenë vendimtare.

Janë planifikuar takime me secilin futbollist ngaqë po vazhdojnë stërvitjen. Zvarritjes së çështjes së kontratave me një pjesë të mirë të titullarëve të sezonit që shkoi duket se po i vjen fundi.

Në fakt, është interesi i të dyja palëve për t’i dhënë drejtim situatës dhe për të menduar më pas me qetësi për të ardhmen. Kërkohet një akord mes palëve, që deri tani ka munguar.Kontaktet në fakt nuk kanë qenë të drejtpërdrejta, kurse tani ka ardhur momenti për një zgjidhje.

PRETENDIMET – Janë të njohura tashmë pretendimet e klubit dhe ato të grupit të futbollistëve, ku bëjnë pjesë Ibraimi, Demiri, Sofranak, Maliqi, Sidibe dhe ndonjë tjetër.

Ashtu sikurse gazeta ka bërë me dije më parë, lojtarët do të pranonin të ndërprisnin kontratën që kanë me Dinamon, nëse marrin në dorë dy paga mujore.

Klubi në anën tjetër nuk ka qenë dakord me këtë variant deri tani, por kërkon që lojtarët të ikin pa marrë asgjë, pasi kanë përgjegjësi për rënien e skuadrës në Kategorinë e Parë.

Gjasat janë që palët të bien dakord në takimet e parashikuara për këto dy ditë. Në të kundërt, zgjidhja e vetme e kësaj situate mbetet ajo në rrugë ligjore, që do të thotë se çështja kalon në duart e avokatëve.

SITUATA – Kjo situatë e cila e ka mbërthyer Dinamon që prej mbylljes së sezonit, në njëfarë mënyre mban “peng” disa çështje të rëndësishme që lidhen me skuadrën e re.

Duke nisur nga ajo e trajnerit të ri. Artan Mërgjyshi ka një akord në parim me drejtuesit, por për këtë çështje, ashtu si dhe për afrimet në merkato, do të ketë një qëndrim zyrtar nga klubi pas 15 qershorit.Aktualisht, skuadra po stërvitet nga ndihmësit e italianit Rodolfo Vanoli, nga Xhafa, Abazaj dhe Ristani.Gjatë kësaj jave pritet që situata të zhbllokohet dhe pastaj klubi do të ndjekë hapat për ndërtimin e Dinamos së re.