Premiera e trajnerit Ditmar Bicaj në stolin e Lushnjës rezultoi një sukses i plotë. Në stadiumin “Roza Haxhiu”, verdhejeshilët dhuruan një goleadë dhe fitoren e parë sezonale, duke “fshirë” kolonën e zerove në klasifikim. Përballë Kastriotit, lushnjarët zhvilluan një ndeshje të bukur dhe dominuese deri në mesin e pjesës së dytë, duke shkuar në avantazh 3-0. Krutanët reaguan me vonesë, por nuk arritën të shmangnin humbjen, me takimin që u mbyll 3-2 për vendasit.
Për trajnerin Ditmar Bicaj, premiera me fitore kishte rëndësi të veçantë. Pas suksesit 3-2 ndaj Kastriotit, tekniku lezhjan e sheh këtë si një pikënisje pozitive, por kërkon më shumë përmirësim nga skuadra e tij. “E rëndësishme është që morëm tri pikët. Mendoj se kemi shumë punë për të bërë, sidomos në pjesën tekniko-taktike.
Ka situata gjatë lojës ku ekipi ende nuk është kolauduar siç duhet. Duhet shumë punë, pasi jemi vetëm në javën e gjashtë”, deklaroi Bicaj pas ndeshjes për “Panorama Sport”. Tekniku i ri i lushnjarëve u shpreh i kënaqur me reagimin e skuadrës, por kritik për mënyrën se si pësuan golat: “Ajo që më shqetëson më shumë është mënyra si pësojmë golat.