Diego Jr., djali i Diego Armando Maradonës, foli për një radio pas humbjes befasuese 1-2 të Argjentinës kundër Arabisë Saudite në Kupën e Botës, në Katar.

“Krahasimi mes Messit dhe babait tim bëhet nga ata që nuk shohin dhe nuk e kuptojnë futbollin. Po flasim për dy jashtëtokësorë të ndryshëm, por nuk dua ta vendos në kryq Lionelin”.

Edhe pse la lindur në Itali dhe nëna e tij është italiane, Diego Jr. ndihet keq nga humbja e pësuar ndaj Arabisë Saudite.

“Jam i shkatërruar nga kjo disfatë. E kam të vështirë të besoj se e gjithë kjo ndodhi me të vërtetë. Humbja përballë Arabisë Saudite është një çmenduri. Ata ishin shumë të frikësuar. Futbolli është i tillë. Ndonjëherë ndodh që humb edhe kundër kundërshtarë shumë më të dobët”, theksoi djali i legjendës më të madhe të futbollit argjentinas.

Muaj para Kupës së Botës, djali i Maradonës deklaroi se “Messi është më i miri në historinë e njerëzimit, e vlerësoj shumë, por babai im nuk ishte njeri, ky është ndryshimi”.

Kush është Diego Maradona Junior, djali italian i Maradonës?

Diego Armando Maradona Sinagra (Napoli, 1986) është djali italian i Diego Armando Maradonës, rezultat i lidhjes së legjendës me Cristina Sinagran. Maradona, u nda nga jeta më 25 nëntor 2020, ndërsa djalin e tij e pranoi në vitin 2016.