Ka nisur këtë mesjavë kampionati rajonal U17, në të cilin marrin pjesë 8 ekipe, 6 të Zonës së Shkodrës dhe 2 të Zonës së Lezhës. Një prej ekipeve pjesmarrëse në këtë kampionat është edhe ai i “Djelmnia Shkodrane” i cili drejtohet nga trajneri Ergys Mehja.

Dhe starti i kampionatit për të ka qenë ai i duhuri. Djemtë shkodranë e kanë nisur me fitore, madje bindëse duke fituar ndaj ekipit “Kukësi A” me rezultatin 4-1. Takimi në mes këtyre dy ekipeve është luajtur ditën e sotme në fushën sportive të Rubikut.

Takimi ka nisur mirë për ekipin e “Djelmnina Shkodrane”. Në pjesën e parë janë shënuar dy gola me autorë Ermal Hasajn dhe Elvi Vadahi dhe kësisoj ky 45 minutësh është mbyllur në shifrat 2-0 për të. Në fillimin e pjesës së dytë, Kukësi do të ngushtonte shifrat me anë të Gurit duke krijuar bindjen se ndeshja mund të rihapej, por jo.

Shkodranët kanë marrë frenat e lojës në dorë dhe kanë shënuar edhe dy gola të tjerë, këtë herë me autorë Riad Matajn dhe Saimir Likun. Përfundimisht 4-1 për “Djelmnia Shkodran” U17 e cila e nis mbarë kampionatin dhe menjëherë si pretendente.

Ekipi ka kohë që ka nisur përgatitjet nën drejtimin e trajnerit Mehja dhe në rradhët e tij ka elementë me perspektivë. Jo më kot konsiderohet ndoshta edhe pretendenti kryesor për vendin e parë, megjithatë në javët e ardhshme do shihen dhe rivalët e tyre.

Për drejtuesit e Akademisë “Djelmnia Shkodrane” kuptohet që edhe rezultati është i rëndësishëm, por kur ai vjen si rezultat i lojës së bukur dhe bashkëpunimit, kënaqësia është e dyfishtë!