I rritur tek KF Shkodra e më pas Akademia Vllaznia, Donati Toma para dy sezonesh kaloi tek Tërbuni i Pukës ku u mundua të tregojë vlerat e tij më të mira por nuk pati shumë hapësirë.

Për rrjedhojë, nga janari i vitit të kaluar i është bashkuar Veleçikut, aty ku ka gjetur vetveten. E ka ndihmuar këtë skuadër të ngjitet në kategorinë e parë dhe sivjet po e ndihmon të sigurojë qëndrimin në këtë kategori.

Toma ka pranuar me kënaqësi që të intervistohet për “Shkodra Sport” teksa ka folur për sezonin aktual me koplikasit por edhe dëshirat e tij për të ardhmen.

– Donat, si e vlerësoni ecurinë tuaj tek Veleçiku këtë sezon?

– Dua ta konsideroj një sezon pozitiv. Kam luajtur thuajse në të gjitha ndeshjet duke ndihmuar ekipin në arritjen e objektivit, qëndrimin në kategorinë e parë. Kam shënuar 7 gola deri tani dhe ndoshta mund të kisha shënuar edhe më tepër, por ka qenë një sezon i vështirë në përgjithësi sepse kemi të bëjmë me një kampionat ku sulmuesit nuk e kanë të lehtë të shënojnë.

– Jeni i kënaqur me ecurinë e skuadrës?

– Po jam i kënaqur. Kemi bërë një sezon përgjithësisht të mirë dhe jemi shumë pranë arritjes së objektivit.

– Do e arrijë ajo këtë objektiv për të qëndruar në kategorinë e parë?

– Besoj se po. I kemi të gjitha mundësitë për këtë gjë. Fitorja e fundit ndaj Vorës ka qenë shumë e rëndësishme dhe tashmë çdo gjë flet në anën tonë ndonëse kemi edhe dy ndeshje për të luajtur.

– Ju keni dalë nga Akademia Vllaznia, jeni i kënaqur me mënyrën si po vazhdon karriera juaj tani?

– Për mua është kënaqësi që kam dalë nga kjo Akademi që është më e mira në Shqipëri. Deri tani jam i kënaqur me çfarë kam arritur por besoj që vitin tjetër të bëj hapa përpara në karrierë.

– Ekziston dëshira e rikthimit një ditë tek Vllaznia?

– Normale që çdo lojtar i dalë nga kjo Akademi e ka ëndërr të veshë fanellën e Vllaznisë, megjithatë të shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.

– Sezoni i ardhshëm ku do ju gjejë?

– Akoma nuk e di as unë. E rëndësishme është që kam 2-3 oferta, një nga Superiorja dhe dy nga kategoria e parë. E rëndësishme është të mbylli mirë këtë kampionat njëherë dhe më pas të shohim se çfarë do të ndodhë.
© shkodrasport.com