Tuesday, May 12, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREPërballjet direkte, Vllaznia bën diferencën me rivalët

Përballjet direkte, Vllaznia bën diferencën me rivalët

Shkruar nga Endri ÇINARI

Para nisjes së fazës vendimtare të kampionatit, ku katër ekipet më të mira do të përballen mes tyre në “Final 4”, statistikat flasin qartë në favor të Vllaznisë. Skuadra shkodrane ka treguar gjatë gjithë sezonit se di të reagojë në ndeshjet më të forta dhe rezultatet ndaj rivalëve direkt për titull janë prova më e mirë për këtë.

Ekipi i drejtuar nga Martini ka zhvilluar 12 sfida ndaj tre skuadrave të tjera të kualifikuara në “Final 4” dhe bilanci është më shumë se pozitiv. Vllaznia numëron 6 fitore, 3 barazime dhe vetëm 3 humbje, duke konfirmuar se ndaj ekipeve të kreut ka qenë një nga skuadrat më konkurruese të këtij sezoni.

Përballjet ndaj Elbasanit kanë qenë ndër më të luftuarat. Katër duelet mes dy skuadrave kanë prodhuar ekuilibër të plotë, me nga dy fitore për secilën palë. Vllaznia ka triumfuar fillimisht me rezultatet 1-0 dhe 2-1, ndërsa verdheblutë janë kundërpërgjigjur me sukseset 1-0 dhe 3-1. Kjo statistikë tregon qartë se çdo duel mes tyre ka qenë i hapur dhe i vendosur nga episode të vogla.

Edhe më pozitiv paraqitet bilanci ndaj kampionëve të Egnatias. Në katër përballje sezonale, shkodranët nuk kanë njohur asnjë humbje. Dy fitore, 2-0 dhe 1-0, si dhe dy barazime 0-0 e 2-2, dëshmojnë dominimin e kuqebluve ndaj një kundërshtari që gjatë sezonit është konsideruar ndër më të fortët e Superiores. Veçanërisht në aspektin defensiv, Vllaznia ka treguar stabilitet të madh ndaj rrogozhinasve.

Pozitive janë edhe shifrat ndaj Dinamos. Edhe pse kryeqytetasit kanë marrë një fitore të thellë 3-1, Vllaznia ka ditur të reagojë duke fituar dy herë, 1-0 dhe 0-2, ndërsa një tjetër sfidë është mbyllur në barazim pa gola. Këto rezultate tregojnë se kuqeblutë kanë ditur të administrojnë mirë ndeshjet direkte dhe të marrin pikë të rëndësishme në momentet kyçe.

Në prag të “Final 4”, këto statistika përbëjnë një sinjal mjaft inkurajues për ambientin shkodran. Përballë rivalëve që do të diskutojnë titullin kampion, Vllaznia ka treguar gjatë sezonit se jo vetëm mund të rivalizojë, por edhe të dominojë në shumë raste. Tashmë mbetet për t’u parë nëse skuadra e Martinit do të arrijë t’i kthejë këto shifra pozitive në suksesin më të madh të sezonit.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments