Ditën e djeshme është zhvilluar një aktivitet mbarëkombëtar për sportin e taekondosë, i emëruar “Kupa e ambasadotir të Koresë”. Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë sportistët më të mirë të Shqipërisë. Vllaznia është përfaqësuar vetëm me një sportist, pikërisht me Dorad Ulqinakun. Ai ka konkurruar në peshën deri 74 kg dhe ka zënë vendin e parë duke merituar medaljen e artë. Për të arritur deri tek kjo medalje, ai ka fituar në ndeshjen gjysmëfinale ndaj një sportisti të Elbasanit me rezultatin e thellë 7-1 ndërsa në finale ka mundur një sportist të Studentit me rezultati 3-0. Në këtë mënyrë, edhe pjesmarrja e dytë e taekondistëve të Vllaznisë në aktivitetet e zhvilluara në vendin tonë, ka qenë e suksesshme ashtu si pjesmarrja një muaj më parë në kampionatin kombëtar. Suksesi i djeshëm i Dorad Ulqinakut natyrisht që është për t’u vlerësuar sepse ka patur një konkurrencë jo të vogël. Në fund të aktivitetit të djeshëm, është nderuar me medalje ari edhe trajneri i Vllaznisë Elion Puka për paraqitjen dinjitoze të këtij ekipi. Natyrisht që këto suksese do ta nxisin atë dhe sportistët që drejton, për të tjerë suksese në të ardhmen. Gara e ardhshme do të zhvillohet me 11 maj në Tiranë dhe ekipi i Vllaznisë do të kërkojë të prezantohet me më shumë sportista dhe në mënyrë sa më dinjitoze. “Jemi çdo ditë e më tepër në rritje dhe ndonëse kemi pak kohë që kemi filluar stërvitjen, shoh progres të vazhdueshëm tek sportistët. Këtë po e konstatojmë edhe në paraqitjet që po zhvillojmë në garat e deritanishme ku kemi patur sukses”-ka thënë për gazetën shkodrasport.com trajneri i ekipit të Vllaznisë në taekondo Elion Puka.
Gjergj KOLA
(www.shkodrasport.com)