Qashif Hoxha i përgjigjet Engin Firatit. Pas deklaratës së dhënë një ditë më parë në “Panorama Sport” nga turku, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i drejtorit organizativ të akademisë “Vllaznia”, i cili është babai i 19-vjeçarit që ka nënshkruar pak kohë me parë te Besa (Uheid Hoxhës).

Ai thekson për gazetën se kontratat në Shkodër vazhdojnë të jenë denigruese për të rinjtë dhe se kurrë nuk ka folur me krerët e klubit për oferta që i biri kishte jashtë vendit. “Unë e kam theksuar se kontratat e të rinjve janë denigruese. Një gjë të tillë donin të bënin me Uheidin. Firat e ka pëlqyer djalin në fakt dhe më ka thënë se është një lojtar që i përket së ardhmes. Më pas, jam ulur që të diskutoj me administratorin Lici.

Por, e vërteta është se unë nuk kam diskutuar dhe nuk i kam thënë në asnjë moment që e kërkojnë ekipe jashtë Shqipërisë. Ka pasur vetëm interesim nga ana e Partizanit, Tiranës apo ndonjë klubi tjetër. Dhe, të jem i sinqertë, unë dëshiroja që ta mbaja këtu, për vetë pozicionin që kisha në klub. Vendimin pastaj e mora pa shumë fjalë. Që në momentin e parë që jam ulur me Licin, më ka folur për një kontratë, që ishte shumë larg asaj që prisja. Kjo, jo vetëm sa i takon aspektit financiar. Ishte shumë përçmuese.

Gjithsej kam konsumuar me të vetëm tri fjalë. I kam thënë: ‘Nuk jam dakord’. Kam pritur edhe tri javë të tjera, pasi edhe ekipi i U19 kishte finalen e kampionatit. Reagimi i klubit mungoi. Drejtuesve u kam thënë: ‘Mbajeni Uheidin pa kontratë dhe pa asnjë pagesë derisa të bindeni plotësisht’. Por, as këtë nuk e kanë pranuar. Atëherë vendosa që ta largoj djalin tim diku tjetër. Nuk është koha për t’u marrë me fjalë dhe t’iu kundërvënë askujt. Problemet janë të tjera. Këtë sqarim po e bëj thjesht për opinionin”, ka thënë fillimisht Qashif Hoxha

ZGJEDHJA – Në fund të fjalës së tij, drejtori organizativ i akademisë “Vllaznia” tregon arsyet përse zgjodhën Besën e Kategorisë së Parë. “Ofertat, sikurse edhe e kam theksuar, nuk kanë munguar nga ekipe si Partizani apo Tirana, por vendosëm që të zgjedhim Besën për vetë ato që i ofroi ky klub.

Ekipi kavajas e ka shumë të përngjashme lojën me atë të Vllaznisë. Bën lojë sulmuese e të hapur, gjë që i shkon ndoshta më shumë për shtat edhe vetë Uheidit. Për më tepër, jam i kënaqur se është bërë një kontratë që djalit tim do t’i vlejë. Ai do të ketë të gjitha minutat e duhura, sikurse duhet të kenë të rinjtë që kërkojnë të ecin përpara. Por,l dua të them se edhe drejtuesit në tërësi më kanë pëlqyer e për më tepër e kanë vlerësuar tim bir.

Nuk e përjashtoj as aspektin financiar, por në këto momente nuk ishte më i rëndësishmi. E kam theksuar këtë edhe për çka folëm te Vllaznia. Por, në njëfarë mënyre një vlerësim i drejtë financiar ndikon jo pak edhe te vetë të rinjtë. Kjo na bëri që të përzgjedhim Besën para ekipeve të tjera, të cilat i falënderoj për vlerësimin”, deklaroi Qashif Hoxha, duke shpjeguar me detaje arsyet që e bindën ta çonte djalin pikërisht në Kavajë.