Edi Martini u shfaq sot në konferencë për shtyp duke shpërthyer ndaj ankesave, që Edlir Tetova kishte për gjykimin. Nuk ka zgjatur shumë dhe ka ardhur reagimi i Klejdi Zenelajt, drejtor sportiv i Egnatias.
“Kujt vetja i hyri shumë në qejf, kapërceu lumin dhe u mbyt në përrua”, është shprehja e Dritëro Agollit që u shpërnda nga Zenelaj.
ÇFARË THA EDI MARTINIT
“Kam qejf të rri larg mediave, por ka momente që duhet të jem sepse janë disa situata që nuk më pëlqejnë prej kolegëve të mi trajnera. E shoh që në çdo ndeshje, ose çdo pas ndeshje, sulmojnë egër arbitrat. Njëri thotë ti nuk duhet të arbitrosh më, tjetri thotë kamera, tjetri… Dmth është një presion që po i bëhet arbitrave në maksimum. Unë jam ndëshkuar me karton të kuq për asgjë, ndeshjen e parë të kampionatit. Shoh që këto trajnerë që bërtasin, munden të bëjnë gjithçka, nuk po dënohen, nuk po marrin karton të kuq, edhe me fjalët që thonë pas intervistave. Ka raste që duhet të kuptojnë që edhe Shkodra ka zot.
E kam fjalën për ndeshjen e fundit me Egnatian. Nuk e kuptoj, gjyqtarët e FIFA-s duhet të kenë autoritet pak më tepër. Të shash nga fillimi deri në fund, siç ishte rasti i Aleksit që shante pafund edhe arbitrat, por edhe në pushimin e ndeshjes i bënin presion arbitrave, apo edhe pas ndeshjes. Nuk më pëlqejnë, duhet të kenë më autoritet sepse pastaj agravohet situata dhe nuk është mirë për futbollin shqiptar”.







