Emri i Nedim Bajramit ka qenë mes atyre që janë lakuar më shpesh në merkaton e kësaj vere, pasi mendohej se klubi i Fiorentinës dhe ai i Sasuolos interesoheshin për fantazistin shqiptar i cili luan me Empolin.
Por merkato u mbyll pa asnjë lëvizje dhe sipas një prej klubeve që përflitej se interesoheshin për të, marrëveshja në fakt nuk ka nisur kurrë as të negociohet.
Daniele Prade, drejtori sportiv i Fiorentinës, kishte deklaruar gjatë verës së atij nuk i interesonte të afronte Bajramin dhe këtë e ka përsëritur edhe sot. “Bajramin nuk e kemi kërkuar kurrë konkretisht.
Por nuk kemi asnjë lloj interesi që të bëjmë përgënjeshtrime”, tha ai para mediave sot, duke lënë të kuptohet kështu se në fakt këto mund të kishin qenë vetëm zëra të kotë dhe nuk kishte pasur asgjë konkrete në atë transferim të mundshëm që u përfol gjatë verës.
Një deklaratë e cila ndoshta do të qetësojë fantazistin e përfaqësueses shqiptare, i cili nuk ka kaluar një periudhë shumë të lumtur në fushën e lojës në startin e sezonit duke menduar për merkaton. Tashmë ai mund të përqendrohet plotësisht te paraqitjet e tij me Empolin, të paktën deri në janar.