Vllaznia e ka nisur me një humbje dhe dy fitore aventurën e këtij sezoni në Superiore, rezultate këto që shihen me optimizëm në kampin shkodran.

Edhe pse në disa momente gjatë ndeshjeve, loja nuk ka qenë brenda pritshmërive nga të gjithë futbollistët, në Shkodër nuk pretendojnë që të shpalosin që në javët e para futbollin që pretendojnë, për vetë faktin se gjatë këtij sezoni kanë bërë disa afrime.

Në javët e para, skuadra ka kërkuar thjesht rezultatin, me shpresën se me kalimin e kohës do të shkojnë aty ku duhet. Edhe më herët, drejtuesit kanë pranuar se do t’u duhet pak kohë për të qenë në maksimumin e tyre.

I rëndësishëm për ekipin është fakti që ka marrë dy fitore rradhazi, duke ruajtur në këtë mënyrë edhe një trend pozitiv, teksa një gjë e tillë pritet të vijojë edhe në ndeshjen ndaj Egnatias.

Sfida e Josës mbetet te kolaudimi në kohë i skuadrës, në mënyrë që tifozëria e Vllaznisë të mos kënaqet vetëm me fitoren, por edhe më tepër. Një tjetër provë “zjarri” është ajo ndaj Egnatias ditën e nesërme në transfertë, një kundërshtar që ka më shumë objektiva se sa sezonin e kaluar.

Skuadra e Vllaznisë ka përmbyllur sot edhe përgatitjet për javën anti-Egnatia, me shkodranët që vijnë të etur për fitoren e rradhës në kampionat.
Maringlen ZHIVANI