Vllaznia-Tirana do të jetë një nga ndeshjet më kryesore deri më tani të ekipit kuqeblu në kampionatin kombëtar të futsallës. Klasikja e futbollit shqiptar do të luajë mbrëmjen e nesërme në Shkodër ndeshjen e dytë gjysëmfinale, për të siguruar një biletë në finalen e madhe, aty ku do të diskutohet edhe fitimi i trofeut.

Sfida e parë u luajt mbrëmjen e së dielës në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të Tiranës dhe u fitua nga vendasit me rezultatin e thellë 7-1. Ndërkohë, ndeshja e kthimit do të luhet mbrëmjen e nesërme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës, duke filluar nga ora 21:00.

Kjo supersfidë ka tërhequr një vëmendje të madhe të opinionit sportiv dhe kjo përballje po pritet me mjaft emocione edhe në qytetin e Shkodrës. Në fakt sipas informacioneve, tifozëria shkodrane është organizuar në një numër të madh dhe mbështetja nuk do të mungojë ndaj skuadrës së tyre të zemrës.

Ndërkohë, në një prononcim për “Shkodra Sport”, drejtori Arben Xhaferi shpreh bindjen e plotë se Vllaznia do ta fitojë këtë ndeshje në Shkodër dhe më tej do të synojë të bëhet fituese e titullit kampion, por megjithatë ai kërkon të merren ndeshjet me rradhë.

Xhaferi u shpreh se në humbjen e parë në Tiranë ndikoi numri i reduktuar i futbollistëve që kishin, ndërsa theksoi se nesër do të tregojnë vlerat e vërteta të ekipit të Vllaznisë në futsall.

-Drejtor Xhaferi, në gjysëmfinale ndaj Tiranës, por e humbët ndeshjen e parë me një rezultat të thellë 7-1, çfarë ndodhi ose më saktë çfarë nuk shkoi?

Në fakt, siç jam prononcuar edhe në bisedat e mëparshme, futsalla ka si specifikë numrin e futbollistëve që një skuadër prezanton ditën e ndeshjes. Tirana, përveç 5-shes në fushë, ishte edhe me pesë ose gjashtë futbollistë të tjerë në stol në qoftë se nuk gabohem. Ndërkohë, ne pesë në fushë dhe 0 në stol. Megjithatë, edhe pse me numër të reduktuar, djemtë pavarësisht rezultatit, sepse mund të ishte edhe më i thellë, por edhe më i ngushtë, luajtën me dinjitet.


-Megjithatë, tashmë nesër në Shkodër besoj se do të jetë një panoramë krejtësisht tjetër apo jo?

Ne jemi përgatitur maksimalisht që të tregojmë vlerat e vërteta të ekipit. Unë besoj që do ia dalim të tregojmë vlerat e këtij ekipi simpatik. Kam besim të madh.

-Në fakt besoj që sipas informacioneve, nesër mund të keni edhe mbështetjen e tifozërisë apo jo, keni pasur informacione ju për një gjë të tillë apo jo?

Me sa mbaj mend unë, nuk kemi pasur ndonjëherë raste kur Vllaznia ka luajtur në çfarëdo kompeticioni në këtë orar. Unë mendoj se tifozëria nuk do të na mungojë, pasi djemtë kanë shumë nevojë për ta.


-Një mesazh për tifozërinë për ndeshjen e nesërme do të ishte me mjaft interes besoj?

Unë mendoj që tifozëria shkodrane edhe këtë rradhë, do e tregojë se sa peshon emri dhe fanella e Vllaznisë. Ndërkohë tjetra, nuk ndodh shpesh që të luash për të dalë në një finale kompeticioni me Tiranën. Kështu që, u bëj thirrje për suport, sepse ato djem që do dalin nesër në mbrëmje në fushë, e meritojnë.

-Personalisht drejtor Xhaferi, ju vetë keni besimin apo bindjen më saktë që mund t’ia dilni të kualifikoheni në finale dhe më tej, të shpalleni fitues të titullit kampion, keni besim?

Më pëlqen t’i marr gjërat me rradhë. Jemi 1-0 për ekipin e Tiranës. Të fitojmë këtë ndeshje dhe pastaj luhet e treta për të kapur finalen. Më pas, të premtoj që do të jap përgjigje për fitoren e kampionatit.
Maringlen ZHIVANI