Prej pasditës së datës 30-qershor, Vllaznia është instaluar në Austri dhe më konkretisht në kampingun e Pressbaum, 30-km larg Vienës. Të akomoduar në ambientet e një hoteli atje, kuqeblutë vijojnë me intensitet përgatitjet në pritje të ndeshjeve europiane.

Paraditën e djeshme, skuadra kuqeblu konsumoi ditën e dhjetë të fazës përgatitore në tokën asutriake. Ndërkohë që, janë lënë pas edhe dy miqësore të fituara që të dyja, respektivisht 0-1 dhe 0-2.

Megjithatë, në programin e hartuar për ditët e qëndrimit në Austri nuk ka pasur vetëm stërvitje dhe ndeshje, por edhe relaks, siç ishte pasditja e djeshme, e cila ishte lënë e tëra në dispozicion për të shijuar bukuritë e Vienës.

Fillimisht, ka qenë një shëtitje e lirë në rrugët e qytetit historik. Më pas, destinacioni ka qenë stadiumi “Allianz Arena” në Vienë. Me ftesë të drejtuesve të klubit të Rapidit, drejtuesit kryesor të KF Vllaznia, Alban Xhaferi dhe Blendi Dibra, kanë qenë të pranishëm në stadium, duke ndjekur prej së afërmi ndeshjen, Rapid Vienna-Celtic.

Nga sa bëhet e ditur, krahas relaksit në shijimin e kësaj ndeshjeje, Xhaferi dhe Dibra e kanë shfrytëzuar këtë moment për bisedime në lidhje me bashkëpunimet mes dy klubeve të futbollit, gjë e cila pritet të konkretizohet në ditët në vazhdim.

Ndërkohë, krahas të tjerave, duke qenë në një ditë festive, siç ishte ajo e djeshmja e Kurban Bajramit, një pjesë e mirë e grupit kuqeblu, me në krye presidentin Alban Xhaferi, që njihet edhe si një besimtar i denjë i besimit musliman, kanë frekuentuar një nga xhamitë e Austrisë, duke marrë pjesë në ritet përkatëse.
Maringlen ZHIVANI