Kapaciteti i stadiumit “Loro Boriçi” por edhe i gjithë impianteve të tjera sportive në vend, do të lejojë vetëm 30 për qind mbushjen e tyre sipas vendimit ende në fuqi të Ministrisë së Shëndetësisë.

Kjo do të thotë se pavarësisht interesimit të madh të tifozëve në Shkodër, jo të gjithë tifozët do të mund të jenë në stadium duke filluar nga ndeshja e së shtunës me Teutën.

Por nga ana tjetër, pavarësisht këtij interesimi të madh të tifozëve, drejtuesit e klubit shkodran mësohet se kanë marrë dy vendime shumë të rëndësishme që tregojnë edhe respektin e vlerësimin që ata kanë për pjestarë aktualë të klubit apo të tjerë që kanë qenë më parë pjesë e tij.

Burime pranë klubit Vllaznia bëjnë të ditur se një pjesë e tribunës qendrore të stadiumit “Loro Boriçi” do të lihet në dispozicion të veteranëve të futbollit shkodran, të cilët do të paisen me biletë ose abone për të ndjekur të gjitha ndeshjet e sezonit.

Por nga ana tjetër, vendimi më i rëndësishëm që është marrë nga drejtuesit është ai i lënies së një tribune vetëm për futbollistët dhe trajnerët e Akademisë Vllaznia. Madje, mësohet se është të gjithë ata, kuptohet të veshur me kostumet kuqeblu, do të sistemohen në çdo ndeshje në tribunën E1 (poshtë tabelës elekronike të stadiumit).Dhe ajo qe eshte me e rendesishmja, per te ndjekur ndeshjet e ekipit te pare te Vllaznise, nuk do te paguajne asnje leke./SHKODRA-SPORT.COM/