Lajmet e publikuara dy ditët e fundit në lidhje me një kërkesë të Ministrisë së Financave për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve që ajo të nisë procedurat për falimentimin e klubit të futbollit Vllaznia,janë konsideruar të pavërteta nga ana e drejtuesit të këtij klubi. Në një konferencë për shtyp, administratori Astrit Gjyrezi, kryetari i Këshillit Mbikëqyrës Shpëtim Quku dhe dy anëtarët e këtij Këshilli Mark Laloshi dhe Benjamin Naku kanë pohuar se nuk ka të vërteta në këtë mes. Numri 1 i klubit në një deklaratë të mbajtur ka deklaruar se të gjitha këto lajme janë të pavërteta. “Nuk bëhet fjalë për falimentim.Janë 22 milionë lekë të reja borxhe ndaj Tatimeve, borxhe këto të mbartura nga viti 2011 e deri më sot. Këto borxhe janë të kontabilizuara në buxhetin e vitit 2016 dhe nuk ka asgjë për të fshehur. Ne kemi krijuar një marëdhënie me drejtorin e Tatimeve të  Gjyrezi ndër të tjera ka deklaruar: “Vllaznisë po i bëhet presion dhe nuk është momenti. Është dekurajuese dhe po punojmë fort për t’u përballur me ekipe shumë më të forta se ne edhe financiarisht. Po punojmë për një ndeshje të rëndësishme si ajo me Partizanin. Nuk paskemi pasur të drejtë të shkojmë të marrim pikë në Kukës, por u dashka të humbë Vllaznia që të mos sulmohet mediatikisht. I kemi marrë dy barazime Partizanit dhe na kanë mundur në Tiranë. Se si ia kanë arritur e kanë pasqyruar edhe mediat, rastin e penalltisë dhe ecurinë e lojës. Do luftojmë për tre pikët në këtë ndeshje. Kemi edhe ne objektivat tona. E para nuk ka mashtrim dhe as abuzim. Ka një faturë financiare të deklaruar që klubi i Vllaznisë e ka marrë përsipër ta paguajë. 220 milionë lekë është detyrimi ndaj degës së tatim-taksave dhe po e paguajmë borxhin, në bazë të një marrëveshjeje që kemi. Muajin e shkuar kemi bërë pagesën e radhës, rreth 23 milionë lekë të vjetra”- ka thënë Gjyrezi. Më tej anëtarët e tjerë të Këshillit Mbikëqyrës të Vllaznisë kanë sqaruar gjithçka edhe në lidhje me falimentimin. “Nuk është detyrë e Ministrisë së Financave për të shpallur falimentin, as e drejtorisë së tatimeve. Ajo mund t’i drejtohet gjykatës administrative të rrethit Shkodër, e cila vendos për falimentin apo jo. Riskon në bazë të ligjit falimentimin, por akoma nuk ka diçka të tillë. Kemi edhe ne argumentet tona për të mos falimentuar. Lajmi që Vllaznia është drejt falimentimit është një gënjeshtër. Vllaznia falimenton vetëm me një vendim gjykate”, tha Mark Laloshi, anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Vllaznisë, ndërsa më pas foli edhe Shpëtimin Quku, kryetari i Këshillit i këtij Këshilli. “Vllaznia nuk është duke falimentuar. Sa kohë bashkia është pronare e shoqërisë aksionere, ka marrë përsipër të gjithë detyrimet. Treguesi më i mirë është marrëveshja që ka bërë me drejtorinë rajonale të tatim-taksave për të shlyer detyrimet e grumbulluar gjatë viteve. Nuk është i këtij viti, po i shumë viteve. Për një afat 2-vjeçar është marrë përsipër shlyerja e borxhit, siç e parashikon ligji. Detyrimet fillojnë që prej vitit 2011. Kjo mund të ndikojë në imazhin e klubit, por janë të pasqyruara të gjitha në pasqyrat financiare dhe çdo biznesmen i interesuar mund t’i shohë ato”- ka thënë Quku. Në këtë mënyrë, zhurma rreth Vllaznisë vazhdon, pavarësisht se këto probleme, madje shumë herë më të mëdha ekzistojnë edhe tek të gjitha klubet e tjera të futbollit shqiptar. Megjithatë në Shkodër diçka duket se “zien” dhe mbetet të shohim se deri ku do të vazhdojnë këto sulme.

© shkodrasport.com