
“Fjala surprizë në këtë rast besoj se është e tepërt. Vllaznia në vazhdimësi dhe sidomos ndaj Partizanit, ka treguar se di të luajë mirë. E kemi vënë shpeshherë në vështirë dhe nëse kemi dështuar, kjo ka ndodhur për mungesë fatit. Fitorja e mbrëmshme ishte realisht ndaj një ekipi të madh me shumë eksperiencë, realisht ndaj ekipit që ka një trajner absolutisht më të mirin e volejbollit shqiptar. këto elementë na bënë që ta vlerësojmë shumë kundërshtarin. Për fatin tonë të mirë ia dolëm pa e vënë lojën në rrezik megjithëse ndeshja mund të ishte mbyllur që në set të katërt por gjithsesi ishte e rëndësishme fitorja. Unë dua të falenderoj padiskutim lojtarët e mi për atë çfarë treguan në fushën e lojës në këtë përballje dhe uroj të vazhdojnë të luajnë kështu”- ka thënë “timonieri” i kuqebluve. Gjithsesi asgjë nuk ka përfunduar. Shkodranëve u duhet edhe një tjetër fitore të shtunën në “Qazim Dervishi” në mënyrë që të sigurojnë finalen. Trajneri Kroqi është i bindur se fati i finales do të zgjidhet në këtë ndeshje dhe nuk do të ketë nevojë për takim të tretë. “Finalisti i parë i kampionatit do të përcaktohet ditën e shtunë. Do të jetë besoj një takim shumë pozitiv për ne, një spektakël i vërtetë. Besoj se do t’i kënaqim tifozët të cilët këtë herë jam i bindur se kanë për të qenë të shumtë në numër. Kam shumë besim tek djemtë që drejtoj se do të dinë të tregojnë vlerat e tyre sepse janë shumë afër realizimit të një ëndërre të shumë ish- volejbollistëve të mëparshëm, një prej të cilëve jam edhe unë, që nuk arritëm të shpallen asnjëherë kampion me Vllazninë. Sot janë shumë pranë dhe duhet të bëjnë çmos t’ia dalin mbanë”- ka thënë Mark Kroqi, trajneri i sotëm i Vllaznisë por edhe një nga volejbollistët më të shquar në historinë e kësaj skuadre.
© shkodrasport.com