Surprizë e konsiderojnë media të ndryshme por në fakt nuk mund të jetë e tillë. Vllaznia edhe më parë ka treguar se është rivalja më e fortë aktualisht në volejbollin shqiptar për Partizanin dhe këtë e tregoi edhe sonte në ndeshjen e parë gjysmëfinale. Kuqeblutë e drejtuar në mënyrë perfekte nga trajneri Mark Kroqi kanë fituar 3-2 ndeshjen e parë dhe tashmë kanë gjithçka në dorën e tyre për kalimin në finale.Seti i parë është i ekuilibruar në pikët e para, por shpejt miqtë nga Shkodra marrin komandën e lojës në dorë, duke u shkëputur dhe fitojnë me lehtësi 25-15. Por loja ndryshon totalisht kah në setin e dytë dhe këtë herë është Partizani ai që luan më mirë, duke u shkëputur që në pikët e para dhe thellon avantazhin. Të kuqtë fitojnë 25-16 dhe barazojnë shifrat. Seti i tretë është mjaft emocionues, ku herë udhëheq njëra skuadër e herë tjetra. Madje nuk mungojnë edhe polemikat në parket, pasi skuadrat rivalizojnë fort në çdo pikë. Në fund Vllaznia shkëputet dhe fiton 25-23.Mjaft dramatik edhe seti i katërt, me miqtë nga Shkodra që duken favoritë, pasi udhëheqin vazhdimisht në fushë. Por në pikët e fundit Partizani bën mrekullinë, falë edhe një “dore” të dhënë nga arbitrat që japin karton të kuq për trajnerin Kroqi dhe më pas një tjetër vendim të dyshimtë. Të kuqtë për rrjedhojë barazojnë shifrat 23-23 dhe fitojnë 27-25 në pikët shtesë. Barazim 2-2 me sete dhe gjithçka shkon në setin final, që është mjaft i bukur dhe emocionues. Vllaznia ka një epërsi të lehtë dhe përfiton nga gabimet e Partizanit për t’u shkëputur 8-4, 10-5 dhe fiton 15-10. Sfida e dytë, pas tri ditësh, do të luhet në Shkodër dhe vendasit do të shfrytëzojnë faktorin fushë për të mbyllur kualifikimin. Kuptohet që me ndihmën edhe të tifozëve të tyre, volejbollistët shkodranë do të hedhin hapin historik drejt kalimit në finale të kampionatit të këtij sezoni.

© shkodrasport.com