Shkruar nga Gjergj KOLA
Pavarësisht gjithçkaje që ka kaluar në karrierën e tij, Ferid Borshi mbetet një emër i nderuar i futbollit shkodran dhe atij shqiptar. Jo më kot, ai është nderuar edhe me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës.
Ndalemi sot te ky personalitet, sepse feston 69-vjetorin e lindjes. Me këtë rast, në emër të redaksisë së Gazetës “Shkodra Sport” dhe të gjithë lexuesve të saj, i urojmë Ferid Borshit edhe 100 vite të tjera të lumtura, duke shpresuar që do të vazhdojë të japë kontributin e tij për futbollin shkodran edhe në të ardhmen.
Ai ka lindur në Shkodër më 7 korrik 1957 dhe gjithë jetën ia ka kushtuar futbollit. Kemi të bëjmë me një emër që i ka bërë nder Vllaznisë me paraqitjet e tij në fushën e lojës, por edhe me kontributin e dhënë në fitimin e disa trofeve.
Por jo vetëm kaq. Prej shumë vitesh ai ka punuar edhe si trajner pranë Akademisë Vllaznia, ashtu siç ka qenë pjesë e stafit teknik edhe të ekipit të parë, duke kontribuar në fitimin e titullit kampion në vitet 1998 dhe 2001.
Ferid Borshi është një nga emrat më të spikatur të Vllaznisë së viteve ’70-’80 dhe, ndonëse karriera e tij si futbollist nuk u mbyll ashtu siç duhej për shkak të padrejtësive me motive politike, ai ka mbetur një figurë shumë e respektuar nga tifozët shkodranë.
Një mesfushor që u dallua për lojën e tij cilësore dhe që ndërkohë po jep një kontribut të rëndësishëm edhe si trajner në formimin e futbollistëve të rinj, detyrë të cilën e ka kryer gjithmonë me profesionalizëm dhe përkushtim.
Pas lënies së futbollit të luajtur, Borshi punoi për shumë vite si trajner, duke u shpallur edhe kampion i Shqipërisë në vitet 1998 dhe 2001 si pjesë e stafeve teknike të drejtuara nga Hysen Dedja dhe Dervish Haxhiosmanoviç.
Po ashtu, ai ka punuar për shumë vite edhe si trajner i ekipeve zinxhir të Vllaznisë dhe, së fundmi, edhe pranë Akademisë “Don Bosko”. Ferid Borshi tashmë ka dalë në pension, por nga futbolli vështirë se do të shkëputet, sepse ka ende shumë për t’i dhënë këtij sporti.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


