Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia do të ketë dy mungesa të sigurta për ndeshjen e parë të Conference League ndaj Malishevës. Trajneri nuk do të ketë në dispozicion Lirim Kastratin dhe Ensar Tafilin, të cilët për arsye të ndryshme nuk do të jenë pjesë e kësaj sfide.
Kastrati vijon të jetë në fazën e rikuperimit nga dëmtimi dhe ende nuk është bashkuar plotësisht me grupin. Sulmuesi nuk konsiderohet gati për këtë takim, ndërsa stafi teknik nuk dëshiron të nxitojë me rikthimin e tij në fushë.
Ndërkohë, mungesa tjetër është ajo e Ensar Tafilit. Mesfushori 21-vjeçar do të jetë i pezulluar për këtë ndeshje, si pasojë e kartonit të kuq të marrë në sfidën e kthimit ndaj Vikingurit në sezonin e kaluar. Në atë takim, Vllaznia u mposht me rezultatin 4-2, ndërsa pezullimi i mbartur bën që Tafili ta ndjekë përballjen me Malishevën nga tribunat.
Përtej këtyre dy mungesave të konfirmuara, pjesa tjetër e grupit pritet të jetë në dispozicion të stafit teknik. Në ditët e mbetura deri në sfidën europiane, vëmendja do të jetë te përgatitja e skuadrës dhe përcaktimi i formacionit që do të zbresë në fushë ndaj Malishevës.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


