Ndeshjet e Superligës gjithmonë mbajnë duele “ish-ësh” dhe përjashtim nuk bën as ndeshja Skënderbeu-Vllaznia. Takimi që do luhet nesër në Korçë në kuadër të javës së 22-të të Superligës do ketë përballë disa fytyra të njohura. Patjetër ish-i i madh i sfidës është Liridon Latifi, por edhe shkodranët Pusi dhe Nikaj qëndrojnë si “ish-ë” në krahun e korçarëve.

Por nëse ka një futbollist që do jetë një mungesë në këtë përballje, ai është Ardit Hoxhaj. Sulmuesi i Vllaznisë dhe një ish i Skënderbeut do e ketë të pamundur të zbresë në fushën e lojës. Kjo pasi vlonjati prej disa javësh po vuan nga një dëmtim. Në një moment kur ai u rikthye me gola tek kuqeblutë, dëmtimi u rishfaq sërish.

27-vjeçari ka qenë pjesë e korçarëve për 3 sezone. Pavarësisht se me ta ka luajtur të plotë sezonin 2018-19, pasi më parë ka qëndruar i huazuar në ekipe si Korabi apo edhe Flamurtari. Në ndeshjen e fazës së dytë që Vllaznia e fitoi në shifrat 2-0 kundër Skënderbeut, Hoxhaj ishte protagonist.

Ai shënoi golin e parë të takimit dhe zhvilloi një ndeshje shumë pozitive në aspektin personal. Vlonjati mungon prej 7 ndeshjesh rradhazi tashmë, ku për herë të fundit është aktivizuar në datën 15.01.2022, në ndeshjen kundër Tiranës. Mungesa e tij është ndjerë në sulmin shkodran, që në këtë periudhë nuk është se ka kaluar një formë shumë pozitive.
Endri ÇINARI