Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, i dhuroi Kupën e Shqipërisë kapitenit të Vllaznisë, Erdenis Gurishta, pasi shkodranët fituan finalen e madhe kundër Laçit, me rezultatin 2-1. Pas ceremonisë së ngrijtes së trofeut, presidenti i FSHF-së foli për Supersport, ku u shpreh:

“Finalja e sotme ishte panorama e gjithçkaje. Ishte ndeshje perfekte nga të gjitha këndvështrimet. Të dyja ekipet e doninin kupën. Ishte gjithçka e asaj që ka ndodhur gjatë gjithë sezonit.

Tirana dhe Vllaznia në majat e futbollit shqiptar? Ky është futbolli. Kur bën ekip të mirë del kampion. Po të kthesh kokën pas, Vllaznia dhe Tirana ranë nga kategoria, tani janë në majë.

Vllaznia ka një ekip simpatik. Unë uroj që të kenë sa më shumë suksese në Kupat e Europës. Të njëjtën gjë i uroj edhe Partizanit dhe Laçit. Shpresoj të dhurojnë spektakël dhe rezultate për Shqipërinë”, u shpreh Duka./newsporr/