Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka pranoi publikisht se nuk ka shpresa që 4 kërkesat e Ligës Profesioniste për financimin dhe menaxhimin e futbollit, të realizohen para datës së zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.

Gjatë aktivitetit për nisjen e kampionatit të futbollit për moshën U-15 për femra, kreu i futbollit shqiptar ironizoi qeverinë se tashmë është në ethet për të menduar më shumë për postet drejtuese sesa për problemet e futbollit.

“Nuk është realizuar asnjë nga kërkesat që ne kemi bërë. Tani qeveria ka hyrë në ato ethet e fushatës elektorale dhe nuk shpresoj që mund të bëhet ndonjë gjë deri në 25 prill.

Uroj që pasi të mbarojnë atë garën e ethshme dhe dëshirën më të madhe të tyre për një post qeveritar apo për qeverinë e vet, të mendojnë dhe për ne në futboll”, përfundoi presidenti i FSHF-së, Armand Duka.