Një nga futbollistët që po spikat te Vllaznia U21 është padyshim Eraldo Deda. 19 vjeçari që deri sezonin e kaluar ka provuar te Akademia Vllaznia të bëjë edhe rolin e mbrojtësit përveç atij të mesfushorit, tani është duke provuar të luajë edhe si sulmues.

Dhe në fakt po e justifikon plotësisht besimin e trajnerit sepse ka arritur të shënojë plot 9 gola dhe është shënuesi më i mirë.

Por Eraldo këtë gjë në këtë intervistë për “Shkodra Sport” nuk ka dashur të flasë për ecurinë e tij tek Vllaznia. I intervistuar nga gazetarja Fabiola Caka, ai ka folur për mënyrën si zgjodhi futbollin, njerëzit që e mbështesin dhe ëndrrën e tij të madhe.

– Si ka lindur dëshira dhe pasioni juaj për futbollin?

Mbaj mend veten në rrugicat e lagjes që në moshë të vogël duke luajtur me top. Futbolli u kthye në pasionin tim në moshën 6 vjeçare dhe pas një viti nisa stërvitjen time të parë.

– Kush ishte mbështetja ose personi i parë që besoi tek ty?

E them me plot gojen se mbështetja ime më e madhe e cila vazhdon akoma sot, është familja ime. Janë ata që më dhanë shtysë dhe më motivuan që unë të vazhdoj ëndrrën time. Veçoj babain tim, i cili është suportuesi im më i madh dhe tifozi më i çmendur i imi.

– Stërviteni rregullisht me ekipin dhe a ushtroni edhe stëvitje individuale?

-Stërvitem çdo ditë të javës me ekipin tim, duke dhënë maksimumin për të qenë gati për ndeshjet e fundjavës. Gjithashtu, bëj edhe palestër 4-5 herë në javë.

– Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin?

Sakrificat që arrin të bëjë një sportist janë të panumërta. Kjo sepse duhet përqendrim maksimal, si fizik ashtu edhe nga ana psikologjike. Përkushtimi ndaj futbollit ka limituar çdo kohë timen për të bërë një punë apo për të marrë pjesë në aktivitete të tjera.

– Kush është ëndrra jote më e madhe apo synimi që ke për të ardhmen?

Një ndër ëndrrat e mia u realizua vitin e kaluar teksa debutova me ekipin e parë të Vllaznisë. Synimi që kam për vazhdimësinë normalisht është të arrij të bëhem pjesë e ekipit të parë të Kombëtares Shqiptare por jo vetëm, të arrij të luaj në një kampionat me skuadra të mëdha siç është ajo e Juventusit,skuadrës time të zemrës.
Intervistoi: Fabiola CAKA