Ndërpreja e ndeshjes Shqipëria 0-1 Poloni nga shishet e hedhura në fushë nga tifozët kuqezi, ka sjellë reagimin e kreut të FSHF. Armand Duka ka konfirmuar se drejtues të UEFA për sigurinë në stadiume do jenë në Tiranë për një bashkëpunim, teksa i ka quajtur të turpshme sjelljet e disa individëve që shëmtuan atmosferën në duelin e së martës mbrëma në “Air Albania”.

“Pas pak ditëve ne do të kemi një tjetër aktivitet për sigurinë e stadiumeve. Një aktivitet i planifikuar më parë por që në fakt me ngjarjet e fundit në stadium bëhet edhe më emergjente, për mënyrën se si ne duhet të organizohemi më mirë, se si të gjithë faktorët dhe aktorët duhet të bëjnë më mirë organizimin e një ndeshje.

Ekspertë të fushës nga UEFA do të jenë në Tiranë bashkë me ekspertët tanë në ndeshjet e kampionatit shqiptar dhe sidomos në ndeshjet derbi ku do të ketë më shumë prani tifozësh për të minimizuar apo eliminuar ngjarje si ajo e mbrëmshmja.

Ngjarje me të vërtetë e turpshme, që nuk na nderon, njollos futbollin, por që të gjithë ne duhet të ndjejmë përgjegjësi, të nxjerrim mësime dhe të përmirësohemi për të ardhmen dhe jo të drejtojmë gishtin nga njëri-tjetri, pasi të gjithë ne jemi fajtorë, që nga ne si organizatorë, ata që duhet të na ndihmojnë apo tifozët në shkallët e stadiumit.

Është vërtetë mëkat kur 22.000 tifozë në stadium krijuan një atmosferë shumë të mirë, por nga disa individë të njollosemi apo të penalizohemi”, tha Duka./newsport/