Pas tre barazimeve rradhazi në tre ndeshjet e fundit, Vllaznia do të tentojë të rikthehet te fitorja në ndeshjen e rradhës, atë që do të luajë të hënën në orën 19.45 në stadiumin “Loro Boriçi” ndaj ekipit të Dinamos.

Të dy ekipet kanë nga 6 pikë në renditje dhe në këto katër ndeshjet e para nuk e kanë provuar shijen e hidhur të humbjes. Si rrjedhojë, kuqeblutë duke luajtur në fushën e tyre, duke patur mbështetjen e tifozëve të tyre, kuptohet që do të tentojnë me çdo kusht për t’i shkaktuar humbjen e parë bluve të Blendi Shkëmbit.

Vllaznia edhe në këtë ndeshje do të ketë disa mungesa të rëndësishme, duke filluar nga ajo e mbrojtësit Mevlan Adili që është i skualiifkuar për shkak të kartonit të kuq të marrë në ndeshjen e kaluar ndaj Skënderbeut.

Po ashtu, vazhdon të mungojë prej kohësh mbrojtësi tjetër, malazezi Darko Bulatoviç i cili është i dëmtuar. E njëjta gjë edhe për dy brazilianët, Da Silva e Kaina, të cilët nuk do të jenë të gatshëm për ndeshjen me Dinamon.

Por pavarësisht këtyre mungesave, objekivi i Vllaznisë nuk ndryshon. Ai është vetëm fitore sepse në këtë mënyrë mund të lërë pas një nga rivalët, por edhe të ruajë hapin e skuadrave të tjera pretendente. Skuadra shkodrane sivjet është ndërtuar për të qenë pretendentja kryesore për fitimin e titullit kampion, por në katër javët e para në fakt ka treguar se nuk është ende në lartësinë e duhur.

Megjithatë nga java në javë pritet që gjendja e ekipit të vijë duke shkuar drejt maksimumit dhe po ashtu, edhe me ndihmën e tifozëve, të shkojë gradualisht drejt kreut të renditjes./SHKODRA-SPORT.COM/