Ditën e djeshme në mbledhjen e UEFA-s u diskutua dhe u morën disa vendime në lidhje me të ardhmen e futbollit, që ka mbetur e paqartë për shkak të luftës botërore kundër koronavirus. I ftuar në emisionin e “Fun Zone” në Super Sport ishte presidenti i FSHF, Armando Duka, i cili foli për disa çështje që prekin futbollin tonë dhe jo vetëm.
Të ngjashme
DATAT E REJA- “Ky ka qenë propozimi i UEFA-s, apo vendimmarrja me kaq njohuri sa ka Europa në lidhje me përhapjen e virusit. Parashikohet që në prill të fillojnë aktivitet sportive dhe të gjitha kampionatet, të mbarojnë brenda qershorit, në mënyrë që të mos ndikohen kualifikueset Champions League dhe Europa League.
Edhe Kampionati Europian shtyhet për vitin tjetër, për të mos riskuar për një kampionat pa tifozë. Duke pasur parasysh edhe informacionet që UEFA ka nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, nëse do të kemi ndonjë të papritur, do të ketë vendime të tjera dhe lajme të tjera. Ne presim që të respektohet ky skenar.”
KËSHILLIMI ME FEDERATAT- “Patjetër që UEFA kërkoi mendimet e 55 shteteve anëtare për zhvillimin normal të aktiviteteve sportive. Presim që në prill të ketë një njoftim nga UEFA për rifillimin e aktiviteteve, gjithmonë nëse përhapja dhe kontrolli i këtij virusi, janë sipas parashikimit.”
SITUATA E EDI REJËS- “Trajnerët në të gjithë botën ishin të interesuar që t’i zhvillonin ndeshjet miqësore të marsit. Por, fatkeqësisht, janë të detyruar të gjithë të jenë në karantinë dhe të respektojnë kushtet e vëna nga qeveritë respektive dhe Reja po respekton kushtet që ka vënë shteti italian. Personalisht jam i karantinuar pjesërisht, pasi jam i detyruar të lëviz për shkak të angazhimeve.”
FUTBOLLI SHQIPTAR- “Për momentin, nuk kemi kampionat në Shqipëri, po mendojmë për të ardhmen, si do të jenë aktorët e futbollit në Shqipëri, a do ta kenë të vështirë për t’u rikthyer në ritmet e garës pas këtij izolimi. Sa kanë punuar futbollistët në mënyrë individuale, sa shpejt do të përshtaten për të filluar kampionatin. Kështu që nuk mund të flasim për një kampionat që realisht, është në kushte anormale, në kushtet e një epidemie.”
FITUESI NËSE NUK KEMI NJË FUND- “Këtu pastaj do të futemi në hamendësime. Sot, në kongresin elektronik të UEFA-s, u qartësuan gjërat. Jemi në këtë skenar që u miratua, pas kongresit u bë edhe një mbledhje e Komitetit Ekzekutiv. Ne do të mblidhemi për të marrë një vendim tjetër nëse situata nuk përmirësohet. Unë shpresoj që t’i rikthehemi sa më shpejt jetës së shëndetshme dhe sa më shpejt futbollit.”
PARATË E HUMBURA- “Normale që nuk është mirë, por, gjithsesi, duhet ta përballojmë. Por që do të ketë impakt ekonomik, patjetër që po. Ka pasur deri më tani, do të ketë edhe më shumë në të ardhmen, pasi po flasim për njerëz që futen në karantinë, punonjësit e kompanive, bizneseve, edhe futbollistët. Ka ndeshje të paluajtura, ka ndeshje pa tifozë. Ka impakt negativ, normalisht.”
MIQËSORET E MARSIT- “Kishim dy miqësore, me San Marinon dhe Slloveninë, por jemi detyruar të mos luajmë. Tani duhet të gjejmë mundësinë për të luajtur disa ndeshje para se të rikthehemi në UEFA Nations League. Mendoj se jemi kandidatë seriozë për të pritur finalen e Conference League në vitin 2022, në “Air Albania Stadium”. Ne dhe Greqia jemi ndër kandidatët seriozë.”
VAR NË SUPERIORE- “Ne kemi shtuar përgatitjet për sistemin VAR, që është pothuajse i detyrueshëm për të gjitha kampionatet. Kemi filluar trajnimet, kemi filluar projektin teknik të investimeve teknike, për IT, edhe sistemeve tjera, me objektivin që sezonin e ardhshëm, të vendosim në funksion këtë sistem dhe në 2022/23, të kemi VAR në të gjithë Superioren”, përfundoi kreu i FSHF. /vipsport