Laçi përballet nesër me Vllazninë në transfertë, në kuadër të kampionatitt shqiptar (18.00). Në prag të këtij 90 minutëshi ka folur trajneri i kurbinasve, Shpëtim Duro. Duro shprehet se rezultati është i rëndësishëm, ndaj duhet arritur. Sa i përket Vllaznisë, tekniku e quan si një nga ekipet më të mira. Mungesa e Mazrekajt do ketë efektin e vet, e kjo është e qartë.  

-Sa e kanë motivuar skuadrën tuaj dy fitoret e fundit, kundër Tiranës dhe Teutës?

-Sigurisht situata e skuadrës është pozitive, pasi kemi arritur dy fitore, një në transfertë dhe një brenda, ndaj dy skuadra shumë të forta, siç janë Teuta dhe Tirana.

-Cili është vlerësimi juaj për Vllazninë dhe sa i rëndësishëm është ky duel?

-Patjetër që vlerësimi për Vllazninë është maksimal dhe pozitiv për atë që ka bërë deri tani. Luajmë me skuadrën më të mirë të momentit, kështu që ne e kemi vlerësuar në të gjitha aspektet. Rezultati është i rëndësishëm për vazhdimësinë, jo vetëm për ne, por ka interes edhe për skuadrat e tjera rivale me Vllazninë.

-A mendoni se presion më të madh ka Laçi para kësaj ndeshjeje, për shkak të situatës në klasifikim?

-Çdo ndeshje ka presion. Këtë ndeshje ka presion edhe Laçi, njëkohësisht edhe Vllaznia. Rezultati në favor të Vllaznisë sigurisht që krijon atë distancën për vendin e parë. Një fitore e Laçit do krijonte një situatë tjetër, jo pozitive për Vllazninë për vazhdimësinë e kampionatit.

-E shikoni si një finale këtë përballje?

-Është ndeshje e radhës, sigurisht që është një ndeshje shumë e rëndësishme. Kampionati është i gjatë. Kjo e shton rëndësinë, pasi jemi ekipi i vendit të tretë për momentin dhe luajmë kundër vendit të parë. Patjetër që ka interes të përgjithshëm, nga shumë faktorë.

-Mendoni se do ndihet mungesa e Mazrekajt në këtë ndeshje?

-Patjetër që është mungesa më e rëndësishme, duke pasur parasysh që në dy takimet e fundit ka qenë protagonist jo vetëm në shënimin e golave. Ai ka bërë lojë të mirë dhe veprimet e tij kanë qenë në funksion të skuadrës.

-Çfarë prisni nga lojtarët tuaj në këtë duel dhe sa janë shanset që të fitoni? A firmosni për një barazim në këtë ndeshje?

-Normalisht Vllaznia është një skuadër për t’u respektuar në të gjitha aspektet. Janë një ekip i ekuilibruar. Ndoshta nuk kanë emra të mëdhenj, por kanë lojtarë me përvojë në të gjitha repartet. Gjithashtu e kanë interpretuar shumë mirë kampionatin deri tani.

Ndaj skuadrave solide duhet interpretim jashtëzakonisht i mirë në të gjithë aspektet e lojës. Them se duhet të jemi perfekt në këtë ndeshje, përsa i përket vendosjes taktike dhe të japim 100 për qind që të arrijmë një rezultat pozitiv.

Sigurisht, e thashë edhe më parë, fitorja është shumë e rëndësishme për vazhdimësinë. Jo vetëm për ne, por për të gjitha skuadra e tjera rivale. Normalisht edhe barazimi është rezultat i pranueshëm, pasi luajmë ndaj skuadrës së vendit të parë. Gjithsesi do dëshiroja të merrja maksimumin në këtë ndeshje.

-Fakti që e keni mundur Vllazninë në ndeshjen e parë, a mendon se do t’ju vendosë përballë një ekipi më të “egërsuar” të premten?

-E kemi fituar takimin e parë me Vllazninë dhe e kemi merituar fitoren për mënyrën e zhvillimit të lojës. Gjithsesi çdo ndeshje ka historinë e vet, kjo është ndeshje tjetër, histori tjetër. Patjetër që Vllaznia kërkon maksimumin, pasi vjen pas dy barazimeve. Njëkohësisht edhe ne jemi skuadër me kualitet, që mund ta kërkojmë maksimumin në këtë ndeshje.