Shpëtim Duron e ka kënaqur kthimi te fitorja e Egnatias e cila dominoi ndaj ish-skuadrës së tij, Laçit. Ai vlerësoi pas ndeshjes përgatitjen perfekte që i ishte bërë kësaj sfide.

“Sigurisht që më shumë më kënaq rezultati se çdo gjë bëhet për tre pikët, por ajo që më kënaq edhe më shumë është që kemi bërë një ndeshje jashtëzakonisht të mirë gjatë 90 minutave dhe shyqyr që u shpërblye me një fitore.

Ndërprerja e kampionatit? Skuadra ka ritëm, por janë gjëra që nuk është vetëm kampionati ynë, është një eveniment dhe duhet ta pranojmë këtë situatë. Por skuadra ishte mirë, ishte në ritëm, në vazhdimësi në rezultate pozitive. Por tani të qetësohemi e pushojmë, stërvitemi dhe rifillojmë.

Këtu nuk ka një shkencë të madhe se trajnerët i njohin kundërshtarët se luajnë çdo javë. Patjetër kam një plus më shumë se gjatë verës, këtë ekip e kam stërvitur e drejtuar dhe di aftësitë individuale dhe cilësitë e disa futbollistëve që patë edhe sot se morëm masat perfekt për të mbuluar.

Këto i kanë pasur si gangrenë ndeshjet brenda, kanë fituar rrallë. Është çështje ekuilibri, edhe me Partizanin kemi qenë mirë në fazën mbrojtëse e shënuam 3 gola, edhe sot ishte perfekt në të dy pjesët e shënuam 2 gola. Kemi humbur raste, por jo të gjithë rastet shënohen, ndaj jam shumë, shumë i kënaqur me të gjithë aspektet e lojës me skuadrën. E ka kuptuar mirë në përgatitjen në raport me kundërshtarin.

Lojtarët kishin besim se në pushimin e pjesës së parë i theksova që do të shënojmë me patjetër, edhe pse futbolli është i çuditshëm, i thashë që sa të shënojmë golin e parë e do të mbarojë çdo gjë. Ashtu ishte se sa shënuam të parin, humbëm edhe dy raste e pastaj erdhi i dyti. Kishim besim ndaj një Laçi që i thashë që do të luajë mbrapa duke shfrytëzuar mundësi kundërsulmi me Mazrekajn, Adeleke e Spahiun, por kishim marrë masat mirë që nuk i dhamë asnjë lloj mundësie. Kishte shumë lojtarë që spikatën, por duhet të evidentoj Zejnullain, ishte në markim një më një me Ujkën e dominoi dhe doli disa herë para portës. Më vjen keq që nuk shënoi, si me Partizanin duhej të shënonte 2-3 gola.

Zejnullai është një futbollist që e kam afruar te Shkëndija që 17-vjeçar. E njoh jashtëzakonisht mirë, edhe pse nuk e kanë vlerësuar shumë andej. Ai ka dalë sot 5 herë vetëm para portës, i shënoi 2 gola Partizanit. Nuk bie poshtë mesatares asnjëherë. Më erdhi keq që nuk u aktivizua me kombëtaren, ai do të dominojë shumë shpejt të gjithë mesfushorët e Superiores”, theksoi Duro për “Oversport” pas duelit.