Shpëtim Duro prej pak ditësh është vendosur në krye të Strugës, që kryeson kampionatin maqedonas.DURONë një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, trajneri flet për eksperiencën e re, teksa komenton edhe Partizanin dhe Tiranën, që luajnë sot derbin numër 129 mes tyre. Ai nuk i kursen kritikat për të kuqtë, që kanë vuajtur së fundmi.

Duro, çfarë ju bindi të ktheheni të trajnoni në Maqedoni?

Isha prej rreth një muaji pushim. Dy ditë pas prishjes së bashkëpunimit me ish-trajnerin, më kontaktuan drejtuesit e Strugës dhe pas disa bisedimeve, arritëm marrëveshjen. Struga është një klub shumë serioz në të gjitha aspektet. Jo tani që shkova unë, sepse pak ditë kam që kam ardhur, por e di që kanë një seriozitet maksimal.

Ku ndryshon Shkëndija me Strugën?

Kam punuar dy herë te Shkëndija dhe jam një nga dy trajnerët e parë të epokës së Lazim Destanit, që arriti Shkëndija super rezultate. Në Kupat e Europës patëm sukses dhe më pas patën vazhdimësi. Unë kam qenë dy herë trajner i Shkëndijës. Isha sërish pranë Shkëndijës para tre muajsh. Isha në bisedime, por ndryshoi gjithçka. Kjo tregon respektin reciprok mes meje dhe drejtuesve. Struga nga ana tjetër është një skuadër e re, ka 7-8 vite që është themeluar. Në një kohë të shkurtër ka arritur rezultate shumë të mira, sidomos vjet kur arriti pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Kjo tregon se drejtuesit kanë merita për mënyrën e organizimit dhe për arritjen e rezultateve. Kjo ishte arsyeja që më bindi të vija këtu.

Çfarë objektivash keni në këtë sezon?

Unë e kam marrë skuadrën në vendin e parë, por kemi luajtur një ndeshje më shumë se Shkupi dhe Shkëndija. Do të jetë një luftë e fortë, sepse të dy kundërshtarët janë skuadra me shumë potencial. Por edhe skuadra jonë ka futbollistë, të cilët i kam drejtuar në të shkuarën dhe i kam gjetur te Struga. Është ligë e fortë. Objektivi maksimal është titulli dhe ai minimal, kualifikimi në Europë.

Si e përkufizoni sezonin e deritanishëm të Partizanit?

Partizani ka një skuadër të kompletuar në të gjitha aspektet, për të qenë kampion. Unë çuditem kur “qahen” njerëzit, që thonë se Partizanit iu larguan lojtarë të rëndësishëm, sepse ata kanë një organikë të jashtëzakonshme. Rezultatet e fundit nuk janë pozitive për një skuadër me ato cilësi. Partizani edhe këtë vit, edhe në sezonin e shkuar, duhet të ishte kandidat kryesor për titullin. Deri në këtë moment nuk e quaj pozitiv këtë sezon për ta. Megjithatë, nuk ka përfunduar. Deri në fund të kampionatit, ndoshta gjërat do të rregullohen.

A ka shanse Partizani për të përmbysur humbjen 3-1 në Shkodër?

Në futboll ndodh gjithçka, por mendoj se nuk ka shanse që Partizani ta përmbysë Vllazninë në ndeshjen e dytë, sepse shkodranët janë një skuadër me oshilacione, por me shumë potencial dhe individualitete. Sidomos për faktin që Vllaznia është një skuadër që luan më mirë jashtë fushës së saj dhe përderisa Partizani nuk arriti rezultat pozitiv në Shkodër, do ta ketë jashtëzakonisht të vështirë përmbysjen, për të mos thënë se është eliminuar nga Kupa e Shqipërisë.

Çfarë tregon lëvizja e Kolelës për t’u dorëhequr pas Vllaznisë?

Nuk dua të hyj te problemet e trajnerit, se këtë profesion e kam edhe vetë. Por e kam thënë dhe do ta them se një trajner shqiptar do të ishte larguar 3-4 muaj para nga drejtimi i skuadrës së Partizanit. Nëse nuk do të ishte shkarkuar, do të kishte dhënë dorëheqjen pas gjithë oshilacioneve që ka pasur Partizani. Dhe më vjen mirë që drejtuesit e Partizanit paskan akoma besim, sepse në rastin e trajnerëve shqiptarë janë drejtuesit, që kërkojnë t’i largojnë teknikët dhe jo të presin të japin dorëheqjen.

A e ka ende Partizani forcën të fitojë titullin?

Partizani ka shumë cilësi dhe potencial, kështu që çdo gjë është e mundur, por mendoj se ka shumë elementë të tjerë që ndikojnë për të më shtyrë të mendoj se Partizanin nuk është favorit as për titullin kampion, as për Kupën e Shqipërisë.

Cili mendoni se është favorit në derbin e sotëm?

Derbi është i paparashikueshëm, por them se janë në nivele përafërsisht të barabarta, si Tirana, ashtu edhe Partizani.

Pas ikjes së Xhixhës dhe Skukës, cilët lojtarë mendoni se mund të marrin stafetën e tyre dhe të bëhen vendimtarë në derbi?

Unë nuk e kuptoj përse i qajnë akoma Xhixhën dhe Skukën. Pavarësisht se ata kanë bërë shumë mirë me skuadrat e tyre në sezonet e kaluara, ka ndodhur diçka normale. Ata kanë ikur me kontrata shumë të mira dhe klubet kanë përfituar shuma të konsiderueshme parash. Partizanit i iku Skuka dhe ka sjellë 3-4 lojtarë. Kur largohen lojtarë të tillë, duhet të gjesh futbollistët e duhur për t’i zëvendësuar. E njëjta gjë ka ndodhur edhe te Tirana. Xhixha ka dhënë kontribut të madh, por aty kanë ardhur Hasani, Abazaj, Lushkja, Deliu, kështu që të mos i qajnë ata që ikin, por të përqendrohen tek ata që kanë në skuadër.