Vllaznia do luajë ditën e nesërme një ndeshje të rëndësishme për finalen e Superkupës së Shqipërisë kundër Tiranë. Pavarësisht se ky trofe më tepër shërben si prestigj apo edhe për moral, motivimi tek kuqeblutë nuk mungon. Kjo duke pasur përballë edhe kundërshtarin e përjetshëm, si edhe rivalin direkt për titullin kampion këtë sezon në Superligë.

Takimi do luhet në orën 19:00, në stadiumin ‘Air Albania’, një impiant që ka qenë plot fat për kuqeblutë që në periudhën kur është rinovuar totalisht. Jo vetëm sukseset kundër Partizanit në kampionat, por edhe paraqitjet pozitive kundër Tiranës në këtë stadium, kanë lënë një shije të mirë tek shkodranët.

Vllaznia që kur ‘Air Albania’ është hapur në 3 edicionet e fundit të futbollit në vendin tonë, ka arritur të fitojë dy finale në këtë stadium. Kështu fillimisht në sezonin 2020-21, kuqeblutë fitonin finalen e kupës përballë Skënderbeut me shifrat 1-o falë golit të Da Silvas. Gjithashtu suksesi në kupë e në këtë stadium u përsërit edhe edicionin e kaluar, ku kuqeblutë fituan 2-1 përballë Laçit.

Por nëse në këtë stadium ka dy finale të fituara nga Vllaznia, ka edhe një të humbur nga Tirana në sezonin 2019-20, ku bardheblutë humbën finalen e kupës kundër Teutës me rezultatin 2-o.

Një ogur ndoshta i mirë ky për shkodranët, që për ata që iu besojnë bestytënive apo statistikave të tilla mund të jetë ndoshta shumë pozitiv. Por patjetër gjithçka do luhet nesër mes dy ekipeve më të mira në vend për të vendosur fituesin e Superkupës për edicionin 2021-22.
Endri ÇINARI