Napoli u rikthye te fitorja në Serinë A, pas dy humbjesh radhazi, teksa mbrëmjen e sotme mposhti Kaljarin me rezultatin 2-1 në sfidën e zhvilluar në stadiumin “Diego Armando Maradona”.
Pjesa e parë nuk prodhoi gola, teksa do të vinte minuta e 69-të, kur bomberi Viktor Osimhen, do të dërgonte në rrjetë një asist të Mario Rui. E menjëhershme ishte kundërpërgjigja e miqve, që arritën të vendosnin baraspeshën me anë të Pavoletit, i cili realizoi në minutën e 72-të.
Nuk do të vononte shumë dhe në minutën e 75-të, do të ishte radha e Kvarashkelias, për të shënuar, golin që rezultoi të ishte i fitores. Gjeorgjiani realizoi pas asitit të Osimhen, duke i siguruar 3 pikë të rëndësishme Napolit.
Ky ishte triumfi i tetë në 16 javë për skuadrën e Maxarrit, që është pozicionuar përkohësisht në vendin e katërt me diferencë 11 pikë nga kryesuesit e Interit që kanë edhe një ndeshje më pak. Duelin e radhës Napoli e luan në transfertë ndaj Romës.