Nga Gjergj KOLA
Në Shkodër vazhdojnë t’i kushtojnë një rëndësi të madhe nderimit të figurave të sportit. Atyre të cilët në vite kanë kontribuar në lartësimin e emrit të Vllaznisë dhe të qytetit. Dhe Shoqata e Atletikës në fakt është një shembull që duhet marrë si model për këtë gjë.
Edhe ditën e sotme, gjatë zhvillimit të Kupës “Vildan Tufi”, drejtuesit e Shoqatës kanë vendosur të nderojnë me “Çertifikatë Mirënjohje” dy ish- atletë të tjerë të cilët në vite kanë dhënë kontributin e tyre në arritjen e rezultateve të larta në garat ku kanë marrë pjesë.
Njëri prej të nderuarve ditën e sotme ka qenë Engjëll Çeka, ish- atleti i Vllaznisë në vitet ’60 në garën e 100 metrave. Çmimi atij i është dorëzuar nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës Izmir Smajlaj.
Një tjetër veteran që u nderua sot ishte dhe ish- atleti Besnik Dashja, i cili ka qenë pjesë e ekipit të Vllaznisë në vitet ’80 dhe ka konkurruar në garat 400 dhe 800 metra duke spikatur me paraqitjet e tij. Çmimi i është dorëzuar nga inspektori i sportit pranë Bashkisë Shkodër Alban Neziri.
Në këtë mënyrë sot u nderuan edhe dy personazhe të tjerë të atletikës shkodrane dhe padyshim që ky është minimumi që mund të bëhet për ta, në shenjë respekti për kontributin e dhënë për sportin dhe Vllazninë.(www.shkodrasport.com)