Boksi shkodran në këto 28 vite ka dhuruar shumë kampionë të mëdhenj të cilët padyshim që kanë lartësuar emrin e Vllaznisë dhe të kombëtares shqiptare në aktivitetet ku ato kanë konkurruar.

Interesant është fakti se dy prej këtyre kampionëve janë takuar me njëri- tjetrin pas plot 8 vitesh. Bëhet fjalë për kampionët Kristian Demaj dhe Marsel Sermi. Dhe ajo çka është më e bukura, këta dy kampionë nuk janë takuar në Shkodër por në…Francë.

Në këtë vend jeton prej vitesh Sermi ndërkohë që Demaj është duke jetuar tashmë në Gjermani. Emigracioni i ka larguar ato nga Shkodra e Shqipëria, por kurrsesi kjo nuk mund të fshehë shoqërinë dhe miqësinë që ato vazhdojnë të kenë me njëri- tjetrin.

Madje, Demaj me një status të publikuar në faqen e tij në facebook përveçse flet për këtë takim të parë pas plot 8 vitesh, flet edhe për diçka tjetër. “Pas 8 vitesh takim kampionash. Plane për të ardhmen”- shkruan ai.

 

Demaj është duke vazhduar boksin në Gjermani ndërkohë që Sermi siç kemi bërë të ditur, pak ditë më parë fitoi të tretën ndeshje në boksin profesionist. Nuk përjashtohet mundësia që të dy ata të bashkohen sërish në të njëjtën palestër për stërvitje apo dhe ndonjë plan tjetër. Megjithatë duhet të presim se çfarë do të ndodhë me ta.
© shkodrasport.com