Më 1 tetor në Nion, me rastin e shortit për fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve, UEFA do të japë edhe çmimet individuale për këtë edicion të kompeticioneve europiane. Në një sezon pa “Top të Artë”, çmimi më i shumëpritur është ai i “Lojtarit të Vitit” dhe qeveria e futbollit ka bërë të njohur listët e finalistëve për kategori të ndryshme.

Sa i përket Champions-it, finalistët janë “bavarezët” Nojer dhe Levandovski, teksa në podium është përfshirë edhe De Bryjne i Mançester Sitit. Mungesat e luksit janë disa dhe i munguari i madh është Leo Mesi që ka grumbulluar “vetëm” 53 vota. Argjentinasi është në shoqëri të mirë pasi edhe Nejmar ka marrë të njëjtën sasi në votime.

Pas sulmuesve në fjalë, vijnë menjëherë Myler me 41 vota, Mbape me 39 dhe Tiago Alkarantara me 26. Për të gjetur Kristiano Ronaldon duhet vëzhguar në zona të pazakonta. Për portugezin vetëm vendi i 25-të në listën e më të mirëve, pozicion që e arriti falë mbështetjes së 26 votuesve.

Për dy dominuesit e dekadës së fundit të “Topit të Artë”, mungesa si kandidatë në çmimet e UEFA-s është një risi, në të cilën kanë ndikuar paraqitjet aspak në nivel me ekipet respektive pasi nëse Juvja kaloi një mbrëmje të shtrembër ndaj Lionit, Barça u shkërmoq nga 8 goditjet që i dha Bajerni në çerekfinale.

PESHAT E RËNDA

Nojer, De Bryjne dhe Levandovski janë gjithashtu finalistë për çmimet e portierit, mesfushorit dhe sulmuesit më të mirë, teksa mes kandidatëve për një trofe është edhe Romelu Lukaku që mund të vlerësohet si më i miri në Ligën e Europës. Për këtë trofe belgu do të konkurrojë me Banegën i cili me Sevijen e tij ndali Interin në gjysmëfinale.

Argjentinasi ka zgjedhur Al Shababin për të vijuar karrierën, ndaj në përballjen me Bajernin do të jetë mungesa e madhe e Sevijes. Derbi gjerman përfshin trofeun e trajnerit të vitit. Në këtë kategori konkurrojnë Nagelsman i Lajpcigut, Klop i Liverpulit dhe Flik i Bajernit, teksa bavarezët Alaba, Devis, Kimish do të zhvillojnë sprintin final për trofeun e “Mbrojtësit të Sezonit”.