Vllaznia do e hapë këtë vit 2022 ditën e shtunë me përballjen kundër Tiranës. Ndeshje kjo e vlefshme për javën e 16-të të kampionatit dhe që do luhet në stadiumin “Air Albania” në orën 19:45. Patjetër një duel direkt për kreun e tabelës, ku kryeqytasit janë të shkëputur me 8 pikë ndaj shkodranëve.

Ndeshja parashikohet të japë spektakël dhe një dozë emocionesh të mëdha. Por ky nuk do jetë një duel mes futbollistëve në fushën e lojës apo tifozëve në tribunat e stadiumit, por edhe dy trajnerëve të dy pankinave. Një duel i trajnerit më të mirë të sezonit të shkuar, Thomas Brdariç kundër atij që po udhëheq kampionatin plot meritë, Orges Shehi.

Nga njëra anë stili sulmues i trajnerit gjerman të Vllaznisë. Ku dallon që në sezonin e shkuar për mentalitetin e tij sulmues dhe të hapur të lojës. Një stil që jo vetëm e bëri fitues, por edhe të dashur në mbarë Shqipërinë me futbollin që dhuronte Vllaznia. E nga ana tjetër Orges Shehu. Një trajner me mentalitet disi më racional.

Tirana e tij ka treguar stabilitet, por edhe cilësi dhe klas gjatë periudhës së parë të sezonit. Bardheblutë përveç sulmit të dytë më të mirë me 28 gola të shënuar, janë edhe mbrojtja më e mirë e kampionatit me 11 gola të pësuar.

Një përballje trajnerësh, idesh dhe mentaliteteve të ndryshme do jenë përballë njëri-tjetrit të shtunën në “Air Albania”. Kjo edhe për të shtuar një kapitull të ri në historinë e artë të “klasikes” së Shqipërisë.
Endri ÇINARI