Ndonëse morën pikë me Vllazninë në fushën e tyre, korçarët nuk kanë një situatë aspak të qetë. Për vendasit mungonin dy lojtarë ndaj shkodranëve, me Arinaldo Rrapaj dhe Kostandin Dramollin që janë pezulluar nga trajneri Migen Memelli.
Numri një i stolit korçar, Migen Memelli e tha edhe pas ndeshjes se mesfushori vlonjat do rikthehej për ndeshjen e radhës, teksa e kishte dënuar për shkaqe disiplinore. Por, edhe portieri Dramolli mbetet jashtë dhe nuk ka asnjë vendim për të. 22 -vjeçari besohet se ka shkuar me vonesë në stërvitje, duke bërë që drejtuesit të reagojnë.
Skënderbeu në fundjavë luan një ndeshje finale në Ballsh me vendasit, një transfertë delikate për skuadrën e Migen Memellit që synon mbijetesën mes më të mirëve…