Pas dy ndeshjesh të nisura nga stoli, kundër Udinezes pritet që Frenk Kesi të jetë në formacionin fillestar të Milanit.

Më shumë sesa meritë e afrikanit, ky rikthim ka të bëjë me skualifkimin e Benaserit, i cili do të mungojë nesër. Ai do të jetë titullar edhe në derbin e 1 marsit kundër Interit, pasi për atë ndeshje i skualifkikuar do të jetë Sandro Tonali.

Dy sfida si titullar tingëllojnë si provime të fundit për Kesin, i cili që pas rikthimit nga Kupa e Afrikës duket sikur e ka ulur automatin dhe pret vetëm fundin e sezonit për t’u larguar nga kuqezinjtë.

Sipas mediave të ndryshme, ai mund të transferohet te Barcelona me klubin katalanas që ka bërë të qartë se do ta kontraktojë vetëm me kushte të favorshme e pa paguar miliona për ndërmjetësime e menaxherë.